Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me deklaratat e Partisë Demokratike për përzgjedhjen e drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Ministrja Nikolla theksoi se përzgjedhja e 13 drejtuesve të DAR është bërë sipas meritës. Ajo u shpreh se “nuk ishte një garë që përjashtonte absolutisht asnjëlloj vullnetarizmi të shprehur. S’kemi ndaluar asnjë konkurrent, si nga e majta dhe e djathta, ishin të gjithë të ftuar të merrnin pjesë. Ata qytetarë që kanë qënë pjesë e politikës kanë dhënë publikisht dorëheqjen”, tha ajo. Menjëherë pas përzgjedhjes së Mimoza Kuqit në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës , Partia Demokratike reagoi duke publikuar pjesmarrjen e saj në një spot publicitar të fushatës elektorale të PS. Gjithashtu ministrja Nikolla bëri me dije, se në ditët në vijim do të nise dhe një konkurs për të zgjedhur 214 drejtorët e shkollave në vend. Sipas saj, përzgjedhja do të bëhet nga një bord i cili përbëhet nga anëtarë të drejtorisë arsimore të rrethit, prindër, si dhe anëtarë të njësisë vendore. Ashtu si drejtuesit e Drejtorive Arsimore Rajonale, dhe drejtorët e shkollave do të vlerësohen në bazë të rezultateve në mësime që do të arrijnë nxënësit e shkollave që drejtojnë.