Tiranë | Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim shpall thirrjen e dytë për propozime projektesh

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha në Konferencën për shpalljen e Thirrjes së dytë për propozime projektesh në kuadrin e Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim se fokusi i financimeve do të jenë zonat më të varfëra të vendit dhe projektet që nxisin punësimin dhe reduktimin e varfërisë. Sipas ministrit të Financave edhe në thirrjen e parë interesi i institucioneve ka qënë i madh dhe projektet e përzgjedhura kanë patur impakt ekonomik e social. Sektorët prioritarë, ku duhet të fokusohen fondet, tha ai, janë arsimi dhe shëndetësia. Zv/Kryeministri Niko Peleshi, i cili mori pjesë në konferencë e cilësoi Italinë, partnerin strategjik të 20 viteve të fundit, duke u kthyer tashmë në një promotor të proceseve integruese të vendit tonë. Sipas zv/Kryeministrit, investimet italiane në Shqipëri, përgjatë dy dekadave të fundit, të cilat fillimisht ishin humanitare e më pas të shprehura në kredi dhe investime të drejtëpërdrejta në sektorë të ndryshëm, kapin vlerën e 700 milion eurove. Ambasadori Italian në Tiranë Masimo Gaiani tha se ishte i kënaqur nga rezultatet e arritura nga projektet që u zbatuan në kuadër të Thirrjes së parë të këtij programi. Ky program, sipas ambasadorit, është një mjet i ri dhe përbën një shembull të mirë për mënyrën se si mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në mënyrë më efikase. Në thirrjen e parë, në harkun kohor të 12 muajve, informoi ambasadori Italian, janë financuar 13 projekte me vlerë 4.5 milionë euro. Kemi arritur të financojmë, tha ai, projekte për ndërtimin e institucioneve shkollore që kanë sjellë hapjen e vendeve të punës në zonat më të varfëra dhe ato rurale. Projekte të tjera të financuara, sipas tij, i përkasin edhe sektorit të shëndetësisë dhe gjithpërfshirjes shoqërore. “Duhen inkurajuar autoritet qendrore e vendore të sjellin projekte efikase e me impakt të madh social. Tani jane 4 projekte që po realizohen edhe me pjesmarrjen e partnerëve italiane. Na pret një punë e madhe për të konsoliduar punën e arritur deri tani në kuadër të këtij programi”, tha Gaiani. Kjo thirrje për propozime është Thirrja e dytë në kuadrin e Marrëveshjes Italo-Shqiptare të konvertimit të borxhit për Zhvillim (IADSA), një iniciativë e Programit Aktual të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo- Shqiptar për të mbështetur realizimin e projekteve në sektorin social, të propozuara nga çdo institucion i interesuar publik shqiptar. Projektet e pranueshëm duhet të jenë të bazuar në prioritetet strategjike të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim me strategji të përditësuara sektoriale dhe ndërsektoriale dhe në Planin Kombëtar të Veprimit për Realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Republikës së Shqipërisë; në përputhje me Programin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo – Shqiptar, dhe të lidhur me sektorët prioritarë në vijim: arsimin, shëndetësinë, përfshirjen social ekonomike të kategorive të margjinalizuara, krijimin e punësimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit rural. Një aplikant mund të paraqesë më shumë se sa një aplikim për këtë Thirrje për Propozime me kusht që ato t’u referohen objektivave të ndryshme specifike të IADSA. Një aplikant mundet që në të njëjtën kohë të jetë partner në një aplikim tjetër. Institucionet Publike Shqiptare si partnere mund të marrin pjesë në më shumë se një aplikim. Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike shqiptare qëndrore dhe vendore si dhe përfaqesues të OJQ-ve italiane dhe shqiptare, të enteve vendore italiane dhe të Organizmave Ndërkombetare të pranishëm në Shqipëri.

Advertisement