Tiranë | Nesër përcaktohen rregullat për koalicionet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të përcaktojë nesër disa rregulla për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Kodi Zgjedhor (neni 65) përcakton se dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen në Komision, si koalicion zgjedhor në shkallë vendi. Sipas ligjit, në fletën e votimit, përbri emrit të subjektit që kandidon vendoset logo e partisë, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Pr/vendimi që do shqyrtojë të martën KQZ do të përcaktojë disa elementë të formës dhe përmbajtjes së kërkesës për regjistrimin e koalicionit që do të paraqitet nga partitë politike, të cilat do të jenë pjesëtare të tij. Partitë politike, të regjistruara në KQZ si subjekt zgjedhor duhet të paraqesin një kërkesë për regjistrimin e koalicionit dhe marrëveshjen përkatëse, e cila do të ketë: shprehjen e vullnetit të partive përkatëse për të qenë pjesëtare të këtij koalicioni; emrin e koalicionit; shkronjat nistore të tij, etj. Kërkesa për regjistrimin e koalicionit zgjedhor në KQZ duhet të nënshkruhet nga të gjithë kryetarët e partive pjesëmarrëse të koalicionit zgjedhor ose nga një person i autorizuar prej tyre në marrëveshje.

Advertisement