Një 30 vjeçare shtatzënë ka ndërruar jetë të enjten nga virusi i gripit A H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur sot, në një njoftim për shtyp, se “pacientja I. M., 30 vjeç, u shtrua në 25 shkurt në pavionin e terapisë intensive të SU “Shefqet Ndroqi”, me diagnozën Sindromë e Insufiçencës Respiratore Akute, Insufiçencë Multiorganore, Anemi dhe Pneumoni Bilaterale. Ndërkohë, pacientja ishte shtatzanë 13 javëshe dhe kishte edhe simptoma të Nefropatisë Diabetike dhe Kardiopatisë së Dilatuar. Pacientja ishte diabetike e tipit të I-rë Insulinovartëse. Meqënëse pacientja ka patur shenja të shfaqjes së sindromës së insufiçencës akute respiratore dhe dyshime të prekjes nga gripi, janë marrë mostra nazofaringeale në mëngjesin e datës 25 shkurt, të cilat janë dërguar sipas procedurës standarde në laboratorin virologjik në Institutin e Shëndetit Publik për evidentim dhe tipizim të virusit të gripit”. Sipas MSH-së, në shërbimin e reanimacionit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, pacientja ka marrë trajtim intensiv, përfshirë edhe ventilim mekanik, ndërsa paraditen e datës 27 shkurt pacientja ka ndërruar jetë. Pas analizave të kryera pasditen e datës 27 shkurt nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qenë pozitive me virusin A/H1 pdm09.