Tiranë | FSHF, Duka: T’i japim një pamje të re futbollit shqiptar

Federata Shqiptare Futbollit në katër vitet e ardhshme do investojë në infrastrukturë për ti dhënë një pamje të re futbollit shqiptar, garantoi kreu i FSHF-së, Armand Duka. Duke folur gjatë mbledhjes së komitetit ekzekutiv të institucionit më të lartë futbollistik në vend, Duka pranoi se futbolli shqiptar ka probleme infrastrukturore. “Jemi të vetëdijshëm që infrastruktura çalon, por edhe pse kjo është përgjegjësi e një sërë organesh ne do punojmë që në katër vitet e ardhshme ti japim një pamje të re futbollit shqiptar”, theksoi Kreu i FSHF-së, i cili është dhe kandidat i vetëm për të mbajtur drejtimin e institucionit më të rëndësishëm futbollistik në vend. Sipas Dukës, bashkëpunimi me pushtetin qendror e lokal do të jetë kryefjalë e punës së tij. Kreu i FSHF-së bëri të ditur se, në katër vitet e kaluara janë ndërtuar dhe ristrukturuar 6-impiante. Po ashtu janë ndërtuar 15 fusha të reja për skuadrat e moshave, si dhe është investuar në përmirësimin e ambienteve sportive në të gjithë vendin”, nënvizoi Duka. Ndërsa sa i takon viteve në vijim, Duka tha se prioritet do të jetë rikonstruksioni i stadiumit të Elbasanit.

Advertisement