Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi e konsideroi shkelje të Kushtetutës dhe të procedurave parlamentare shqyrtimin nga Kuvendi të pr/vendimit për “ndarjen e mandateve”. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të mos e votojë sot aktin, ndryshe kjo do të kompromentonte procesin e ardhshëm zgjedhor. Gjatë debatit në parlament, kryetari Ruçi theksoi se po shkelet një nen i kushtetutës që sanksionon se vota është vetjake, e fshehtë dhe e barabartë. “Në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk është bërë debat parlamentar për shpërndarjen e mandateve, por kjo është bërë me mjete politike duke përafruar qëndrimet në komisionet përkatëse. E maksimumi me negociata mes mazhorancës dhe minorancës dhe në të gjitha rastet ka pasur konsensus në parlament. Ky është rasti i parë, i vetëm dhe i paprecedentë. Edhe pse kemi pikëpamje të ndryshme ka disa gjëra që është e shkruar e zeza në të bardhë që duhet t’i lexojmë njësoj. Jemi në shkelje të plotë të Kushtetutës së vendit”, theksoi Ruçi. Duke konfirmuar qëndrimin kundër pr/vendimit sipas formulës së zgjedhjeve të 2009-s, Ruçi akuzoi mazhorancën se me këtë draft po i bën një “uzurpim shtetëror” zgjedhjeve të reja parlamentare. “Sot ju po kërkoni të prishni rregullat e lojës apo të vendosni rregulla të njëanshme. Po ju rikonfirmoj se nëse ju do ta bëni këtë do të keni përgjegjësi të madhe ndaj Kushtetutës, ligjit dhe procedurave parlamentare dhe për këtë do të ndëshkoheni rëndë, moralisht dhe politikisht”, u shpreh Ruçi. Në emër të deputetëve të grupit socialist ai i kërkoi shumicës parlamentare që të mos e votojë sot aktin për shpërndarjen e mandateve. “Të dy palët, PD e PS, të mblidhemi dhe të përafrojmë qëndrimet në zbatim të plotë të Kushtetutës, kodit elektoral dhe precedentëve parlamentarë, ndryshe e keni kompromentuar procesin që sot, pa e nisur”, tha Ruçi.