Tiranë | Patozi: zgjedhjet do ti fitojmë pavarësisht ndarjes së mandateve

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke akuzuar opozitën se po bllokon punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha sot në Kuvend se, “ne do t’i fitojmë zgjedhjet ciliado qoftë ndarja e mandateve”. Gjatë debatit për shqyrtimin nga Kuvendi të pr/vendimit për “ndarjen e mandateve”, Patozi tha se, “fakti që jemi në këtë pikë sot nuk është faji i ekspertëve dhe as i komisionerëve të KQZ-së, ndonëse dikush mund të thotë me të drejtë se këta të fundit e patën diçka në dorë dhe e dogjën shansin. Ky është një debat i pastër politik i Edi Ramës i cili sheh pas çdo procedure rutinë një komplot kundër tij dhe pas çdo kaçubeje një diversant, që i kërcënon ëndrrën për pushtet”. “Për 2 muaj me radhë PS, që nga Edi Rama e deri tek figuranti më periferik i saj, akuzuan PD-në se po kërkonte manipulimin e zgjedhjeve 7 muaj para se ato të mbaheshin. Kjo stuhi sulmesh kishte në themel të saj një projektvendim të KQZ-së, i cili parashikonte ndryshime të vogla të ndarjeve të mandateve në katër prej zonave zgjedhore”, tha Patozi. Sipas tij, ky projekt nuk u miratua kurrë se përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kryejnë detyrimin e tyre ligjor për shkak të urdhrit politik. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi sqaroi se vetë PS nuk e ankimoi asnjëherë çështjen në kolegj, duke i mbyllur rrugën çdo shqyrtimi tjetër dhe po sipas kodit zgjedhor çështja i kaloi parlamentit, i cili në çdo rast thotë fjalën e fundit. “Sot ne po akuzohemi si manipulator akoma edhe më të mëdhenj se atëherë se, nuk po pranojmë se pikërisht ai projekt i rrëzuar brutalisht nga përfaqësuesit e opozitës në KQZ të mos miratohet”, u shpreh Patozi.

Advertisement