Tiranë | Ndarja e mandateve në komisionin e Ligjeve

Ndarja e mandateve do të trajtohet në seancën e nesërme dëgjimore në komisionin e Ligjeve, ku do të jenë të pranishëm kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba. Ky vendim u mor sot nga komisioni, pas marrjes në shqyrtim të pr/vendimit për caktimin e numrit të mandateve të zonave zgjedhore, për zgjedhjet e 23 qershorit. Deputetët e opozitës u shprehën sërish kundër ndarjes së mandateve nga Kuvendi, pasi sipas tyre kjo është një procedurë që i takon KQZ-së. “Kuvendi po futet në një precedent të rrezikshëm dhe se ndarja e mandateve duhet të ndodhë në KQZ dhe jo në Kuvend”, u shpreh nënkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj. Ndërsa, për kryetarin Ilir Rusmali procedura e ndjekur është ligjore dhe e parashikuar në kodin zgjedhor. Për deputetët e mazhorancës parlamenti po zgjidh një ngërç të krijuar në KQZ dhe që mund ta çonte në kolaps procesin e ardhshëm zgjedhor. Deputeti Xhafaj theksoi nevojën e një seance dëgjimore me kryetarin dhe nënkryetarin e KQZ-së për këtë çështje. Kërkesa e tij u miratua nga kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili njoftoi se të mërkurën do të zhvillohet seanca dëgjimore me kryetaren e KQZ-së, Lefterije Lleshi dhe nënkryetarin, Denar Biba.

Advertisement