Tiranë | Nano: do të fitoj nëse ka garë të lirë

alt

Pas takimit Nano u shpreh se “në qoftë se ka një garë të lirë e të ndershme unë jam optimist se do të fitoj me 71 vota”. Nano theksoi se “zgjidhja e sfidës presidenciale gjithashtu, përvec reformave të tjera jetike për vendin, duhet të jetë jokonfliktuale dhe në dobi të integrimit dhe natyrisht duke shuar tensionet, që janë të pranishme mes palëve politike”. I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë emri i tij në raundin të tretë të votimit për kreun e shtetit, Nano tha se “unë besoj se një zgjedhje e pranueshme demokratike është një garë mes përfaqësuesve të të dy palëve, por nuk është i mundur një konsenus i plotë. Ka një konsensus nga maxhoranca për kandidatin Xhezair Zaganjori, por që nuk përfshin konsensusin e opozitës”. “Ka një kërkesë të opozitës për të ndryshuar ofertën nga maxhoranca, ashtu siç ka edhe një kërkesë të maxhorancës që PS të paraqesë kandidatin e saj”, theksoi Nano, duke shtuar se nëse konsensusi është i pamundur është pastaj pjesë e lojës demokratike dhe zgjidhjes kushtetuese si dhe garës mes përfaqësuesve të të dy palëve. Nano tha se do të largohej nga gara “me të njëjtën dëshirë dhe dashamirësi me të cilën hyri, nga momenti kur të zgjidhet presidenti”. “Nuk do të dëshiroja që opozita ta bojkotojë seancën, pasi vendi nuk duhet të kthehet në zhvillimet negative të 2007”, u shpreh Nano. Natyrisht, vijoi ai, PS është partia ime e zemrës dhe nëse ajo do të vazhdojë të lëngojë siç po vuan, unë do t’i kthehem asaj me gjithë zemër.