Tiranë | Kryeministri Berisha vlerëson të suksesshëm buxhetin 2011

berisha-mbledhje-qeverie-

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri, duke u ndalur tek vendimi “Për miratimin e buxhetit faktik 2011”, veçoi si një sukses të tij ndërtimin e tunelit të Qafë Krrabës, në kuadër të ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. “Ky buxhet bëri të mundur ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Krrabës, që do inaugurohet këto ditë, 6 muaj para afatit. Natën në të cilën qeveria u detyra të qëndrojë në parlament, për herë të parë deri në orën 5 të mëngjesit, për ta bindur opozitën që ta votonte, ajo nuk e bëri sepse nuk donte që këtë sukses ta kishte kjo qeveri. Buxheti kaloi dhe u shndërrua në tunelin e Qafë Krrabës”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, buxheti i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit, duke ndërtuar mijëra kilometra rrugë, nga Konispoli në Vermosh dhe duke bërë të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Buxheti ishte i bekuar, sepse bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe rriti të ardhurat për 800 mijë familje shqiptare dhe kjo në një kohë kur vendet e tjera u detyruan të bëjnë shkurtime”, theksoi Berisha, ndërsa shtoi se ky dokument financiar shërbeu si një bazë e fuqishme për buxhetin e vitit 2012.

Advertisement