Tiranë – Ministria e Drejtësisë, hetuesit e KE nuk kishin mandate

Një gjë e tillë është konfirmuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka bërë të ditur gjithashtu se qëllimi i hetuesve ishte thjesht një vizitë në banesën ku mendohet se janë kryer operacionet për trafikun e organeve. Zëdhënësja e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë, e cila ndodhej së bashku me hetuesit europianë në Mat, thotë se Ministrisë së Drejtësisë i ishte kërkuar vetëm shoqërimi i hetuesve të drejtuar nga Dik Martin. Ata kërkonin të shihnin nga afër shtëpinë e akuzuar nga Serbia, se në të ushtarët e UÇK-së kryenin operacione dhe trafik organesh ndaj civilëve dhe ushtarëve serbë. Banorët u kanë kërkuar të huajve dokumente identifikimi, pasi dyshonin në atë çfarë komunikuan ata me gojë rreth qëllimit të ardhjes së tyre në fshat. Përveç mandatit të kontrollit, banorët u kërkuan dhe shoqërimin e prokurorëve të huaj nga një prokuror i Matit. Duke parë se asnjë prej kërkesave të tyre nuk ishte e plotësuar, banorët kanë mbajtur “peng” për rreth dy orë makinat e përfaqësuesve të KE-së. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, porse nuk ka mundur të “çajë” rrethimin e banorëve për t’ua liruar rrugën hetuesve drejt “shtëpisë së damkosur”. Pas kësaj, hetuesit e Këshillit të Evropës, të cilët udhëtonin me automjete të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, kanë qenë të detyruar të largohen nga fshati Gurrë. Kështu, hetuesit e KE-së janë kthyer në Tiranë pa mundur të kryejnë misionin e tyre.

Advertisement