Tiranë – Malaj, më shumë energji për zgjidhjen e situatës

Në një intervistë televizive, Malaj shpjegoi se PS-së i duhet një lider që të jetë i barabartë mes të barabartëve. Sipas tij, në prag të Kongresit të jashtëzakonshëm po harxhohen më shumë energji për mbledhje firmash dhe rezolutash sesa për zgjidhjen e situatës. Kjo krizë, sipas tij duhet të sjellë zgjidhje dhe mundësi të reja për garat e ardhshme zgjedhore. “Është e pafalshme që kaq shumë jemi fokusuar te rezolutat, kur duhet të fokusohemi te një garë e brendshme në parti, e cila krijon më shumë transparencë për gjithë zhvillimet tona; duhet të marrin pjesë më shumë kolegë me vizion të ndryshëm, po me përkushtim të njëjtë dhe ne të jemi më bindës në elektorat”, u shpreh kandidati socialist për kreun e partisë, Arben Malaj. Sipas tij, “në përgjithësi partitë politike nuk dëmtohen nga gara, ato dëmtohen nga solidariteti i sëmurë apo nga keqpërdorimi i autoritetit të kryetarit apo të të zgjedhurve në forumet e saj”. Malaj ka menduar që platformën për drejtimin e PS-së ta prezantojë apo më saktë ta diskutojë dhe të marrë mendime gjatë një aktiviteti të zgjeruar. Ai vetë pohoi se ky aktivitet do të ndodhë gjatë kësaj jave, por ende nuk është saktësuar. Në përshtypjen e Malajt, kryetari i ardhshëm i PS-së padyshim që do të ketë rol kyç.

Advertisement