Duke folur për Zërin e Amerikës, Meta ndërsa shpjegoi se elektorati do ta kuptojë këtë koalicion, nga ana tjetër shtoi se kishte refuzuar ofertën e Ramës për ta bërë atë kryeministër me vota të trafikuara në kampin e djathtë. “Më vjen keq që kryetari i PS-së vazhdon të sillet në mënyrë hipokrite dhe kalon në sulme personale, ndërkohë që duhet të mbajë premtimin e tij për këtë humbje e cila është e tija personalisht. Pasi ka qenë ai që ka insistuar për Kodin, i cili i ka humbur të majtës 12 mandate. Ka qenë ai që ka përjashtuar cdo tentativë për bashkëpunimin që i është ofruar nga ne. Nga 70 e opozitës të më propozonte mua për kryeministër dhe ai të na siguronte disa vota të trafikuara nga maxhoranca e djathtë, në mënyrë që të largonim Berishën. Kjo gjë u refuzua nga ana ime, pasi kjo nuk mund të pranohej nga askush. Dhe cdo përpjekje për ta anatemuar këtë koalicion është jo vetëm arkaike, por i takon të kaluarës, është jo vetëm folklorike por edhe antikombëtare”, theksoi kreu i LSI-së Meta. Meta ka shtuar se lideri i Partisë Socialiste është përgjegjës për humbjen e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit dhe se ka dëmtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në këto zgjedhje. Por duke folur për pozicionin e tij në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi kishte premtuar të merrte mbi 30 mandate para zgjedhjeve, Meta tha se do të jenë forumet e partisë që do të vendosin. “Unë jam i hapur për çdo vendim të forumeve të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe cdo gjë do ta vendosin forumet e kësaj partie. Në vjeshtë ne do të kemi një ripërtëritje të të gjithë strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfshi këtu edhe postin e kryetarit të kësaj lëvizjeje dhe padyshim unë do ti nënshtrohem vullnetit të këtyre strukturave”, theksoi Ilir Meta. Meta nuk foli për ministritë që do të ketë LSI në këtë qeveri, por tha se marrëveshja do të jetë tërësisht e hapur.


