Tiranë – Mbyllet gazeta “Tema”

Botuesi i saj Mero Baze lajmëroi mbylljen e saj ne editorialin e sotëm , duke e cilësuar “një pamundësi për të vazhduar më tej në kushtet e vështirësive të shumta financiare”. Vështirësitë për këtë gazetë lindin para më shumë se një viti kur gazetarët e gazetës “Tema” u dëbuan nga redaksia pasi objekti ku ndodhej gazeta quhej nga Qeveria “objekt strategjik, ku do të prodhoheshin kartat e identitetit”. Botuesi i saj Mero Baze shkruan se në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve të saj situata financiare ka kaluar kufijtë e mbijetesës. Sipas tij, Gjykata e Tiranës e cila duhej të shqyrtonte padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Rendit për shkatërrim të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografise ushtrake, ende nuk ka bërë seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga koha kur është ngritur padia. Në këto kushte, duke patur parasysh shkatërrimin e investimeve por dhe mungesën e reklamave dhe politikën e frikësimit që shteti ndjek ndaj bizneseve që reklamojnë në gazetë , shkruan Baze, “Tema” nuk mund të mbijetojë. Ai sqaron më tej se kontrollet selektive financiare dhe presionet që nisin me bilancet e gazetës prej viti 2004 po ashtu e kanë forcuar klimën armiqësore ndaj tyre. “Ky është një fund por jo fundi për lirinë e medias” mbyll shkrimin e tij botuesi i gazetës “Tema”, Mero Baze.

Advertisement