Tiranë – Mbyllen 8 klinika dentare private për ushtrim aktiviteti pa licencë

Kontrollet për licencimin dhe rilicencimin e klinikave dentare nisën në muajin dhjetor 2008. Bazuar në ligjin përkatës, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimin shëndetësor stomatologjik, në rast të mospajisjes me licencë për ushtrimin e aktivitetit, përballen me gjobën 50 mijë lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë, deri në plotësimin e dokumentacionit sipas legjislacionit. Bazuar në ligj, “të gjithë personat, fizikë dhe juridikë, që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimin shëndetësor stomatologjik, kanë detyrimin të licencohen pranë MSH, ose autoriteteve të autorizuara prej saj”. Mbikëqyrja në shërbimin shëndetësor stomatologjik kryhet nga Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik, i cili është dhe organi ekzekutiv, i specializuar për kontrollin e zbatimit të ligjit dhe akteve nënligjore. Sipas drejtorit të ASHR-së Mhill Gecaj, “gjatë periudhës 1-15 prill janë kontrolluar gjithsej 80 klinika dentare, nga të cilat 8 kanë rezultuar të papajisura me licencë, ndaj për to është marrë vendimi për mbyllje të aktivitetit të tyre”. Sipas tij, Krahas kësaj, ASHR vijon kontrollet mbi kushtet higjieno-sanitare të klinikave private stomatologjike, por edhe të kabineteve dentare në institucione publike, si shkolla etj. Drejtori i ASHR-së pohon se vendimet për mbylljen e këtyre klinikave dentare private i kanë kaluar për ekzekutim Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe asaj Tatimore.

Advertisement