Tiranë | Marrëveshje mes Shqipërisë dhe BE-së në mbështetje të reformave

Bashkimi Evropian dhe Shqipëria nënshkruan sot një Marrëveshje Financimi prej 64 milionë Eurosh për të mbështetur reformat kyçe në fushën e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për përmirësimin e infrastrukturës. Kjo do të plotësohet me një marrëveshje tjetër, e cila do të nënshkruhet më vonë gjatë këtij viti, me një vlerë prej 17 milionë Eurosh, njoftoi zyra e shtypit e delegacionit të BE-së në Tiranë. Gjatë tre viteve të ardhshme, autoritetet shqiptare do të mund të përfitojnë nga ndihma e BE-së në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Pranimit (IPA) 2013 që vjen në mbështetje të përpjekjeve te tyre për përmirësime në fusha strategjike. Më konkretisht, financimi do të shkojë për 6 fusha të rëndësishme: në drejtësi dhe çështje të brendshme, në reformën e administrates publike, transport, në mjedis dhe ndryshim klimaterik, punësim dhe përfshirje sociale dhe në bujqësi dhe zhvillim rural. Të përcaktuara si rezultat i dialogut të vazhdueshëm me qeverinë, shoqërinë civile dhe donatorët e tjerë, këto fusha ndërhyrjeje synojnë drejt prioriteteve të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimit ekonomik. Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, tha se “ne presim që asistenca jonë të prodhojë rezultate të prekshme dhe të japë mbështetje efektive për vendin, për të patur rezultate konkrete në lidhje me këto reforma”. “Adresimi i pesë prioriteteve kyçe, si zbatimi i reformave në administratën publike dhe në drejtësi, përpjekjet e mëtejshme të vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrja e masave efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i të drejtave të pronës, është me rëndësi esenciale jo vetëm për detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u anëtarësuar në BE, por gjithashtu dhe për aftësinë për tërhequr investime të huaja dhe për cilësinë e qeverisjes, të cilën duhet ta gëzojnë qytetarët shqiptarë”, shtoi ambasadori Sequi.

Advertisement