Tiranë | Celibashi: Të detyruar të respektojmë vendimin e Kushtetueses

Mazhoranca shprehet në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të Qeverisë për “Ligjin e Nëpunësit Civil”. Ministri i Shtetit për Marrrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, vlerësoi sot para mediave se në kushtet kur akti normativ është konsideruar antikushtetues, lind nevoja për amendime të reja të ligjit. Në përfundim të konferencës së kryetarëve, ku u përcaktua kalendari i punimeve të Kuvendit në vijimësi, Celibashi bëri të ditur se është diskutuar edhe për ndryshimet e ligjit të nëpunësit civil ku është gjykuar të shtyhet shqyrtimi i amendamenteve, në seancë dhe në komisionet përkatëse. “Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil dhe jemi të detyruar të zbatojmë atë. Që të mos tregohemi arrogant, vlerësuam që shqyrtimi i amendamenteve të mos bëhet në datën 6 por të shtyhen në kalendarin e punimeve të Kuvendit”, tha ai. Në emër të qeverisë Celibashi konsideroi se “ligji ka nevojë të amendohet” teksa kërkoi edhe konsensusin e opozitës. Ndërsa lidhur me paralajmërimet e dy ditëve të fundit të opoztës për bojkot të mundshëm të Kuvendit, ministri Celibashi tha se “Qëndrimi bojkotues ndaj veprimtarisë së Kuvendit nuk është zgjidhje e dëshiruar dhe as dobipruese”. Më herët, Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentarë të PD-së, pas përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve theksoi, se opozita kërkoi rikthimin e Kuvendit në rrugën e kushtetutshmërisë, gjë që sipas tij, nuk u pranua nga mazhoranca. Paloka theksoi se “në mbledhjen e sotme përgjigja na u kthye me të njëjtën arrogancë që është duke vepruar mazhoranca, me të njëjtën arrogancë që sillet me ata që heq nga puna, me shoferët e furgonëve, me ata që u rriten taksat”. Sipas Palokës, opozita do të marrë vendimet e duhura për t’i dhënë përgjigjen e merituar asaj që e cilësoi si arrogancë të qeverisë. “Ne do të shikojmë cdo mundësi opozitare për të ndaluar veprimet e kësaj arrogance qeveritare, dhe për ‘ti mos lënë mundësi mazhorancës ta akuzojë opozitës si anti integrim, pasi është kjo shumicë që po tregohet anti-integrim”, tha Paloka.

Advertisement