Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi me konsensus projektligjin për marrëveshjen trepalëshe mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit TAP. Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, u shprehën se TAP-i është një projekt me rëndësi për gazifikimin e Shqipërisë. “Me këtë projekt ne përmbushim detyrimet ndaj marrëveshjeve të nënshkruara” tha në komision përfaqësuesi i ministrisë. Sipas tij, në muajin prill projekti do të shkojë në Këshillin Kombëtar të Territorit. Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan më 13 shkurt në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatik”, e cila mundëson bashkëpunimin tripalësh për realizimin e projektit në fjalë.