Pas më shumë se 24 orë debate, Kuvendi miratoi në parim pr/buxhetin e vitit 2014 dhe paketën e re fiskale me 79 vota pro, 37 kundër dhe asnjë abstenim. Debatet e nisura dje me fjalën e kryeministrit Rama u mbyllën po me fjalën e tij, ndërsa replikat dhe debatet ka qenë të ashpra duke shkuar deri në përdorimin e fjalorit ofendues.
Rama: Shqipëria me një kryefamiljar kumarxhi
Në fjalën e tij për të mbyllur debatin e diskutimeve për projekt-buxhetin e vitit 2014. Rama krahasoi sjelljen e qeverisë “Berisha” me financat shtetit, si atë të një kumarxhiu me financat e tij, ndërsa shprehu bindjen se “e ardhmja nuk merret borxh për të siguruar mbijetesën e së tashmes në pushtet”. Kryeministri Rama falenderoi çdo qytetar dhe çdo familje që ka ndjekur debatin dhe kërkoi ndjesë për të gjithë ata që janë ndjerë të lënduar, për shkak të shpërdorimit të gjuhës dhe shkeljes së të gjitha normave e etikave. “Dua ta mbyll me një mesazh të qartë. Miratimi i këtij buxheti hap rrugën e re është fundi i rrugës së rrënimit dhe fillimi i rrugës së rimëkëmbjes ekonomike.”- tha Rama duke shtuar se qeveria e tij nuk ka rritur borxhin por e ka çertifikuar atë. “Kur shtëpia ka një familjar kumarxhi që ikën e akumulon borxhe e gjithë shtëpia nuk e di fare, dhe një ditë të bukur sheh një karvan njerëzish që kërkojnë paratë. Ata i kanë dhënë borxh kryefamiljarit kumarxhi të shkojë të lozë për tekat e tij duke e zhytur shtëpinë në një hall shumë të madh. Ky është hall i madh ku Shqipëria u gjend për shkak të një zinxhiri borxhesh që nuk figuronin në defterin e qeverisë kur kjo vinte në parlament e fliste për nivelin e borxhit. Këtë e kemi çerfifikuar nga FMN”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
“285 milionë dollarë kontrata të nënshkruara nga kryefamiljari, por që shtëpia nuk i di.
128 milionë dollarë tvsh, detyrim i marrë nga kryefamiljari por që shtëpia s’i di
50 milionë dollarë fatura për energji e ujë që shtëpia nuk i ka të regjistruara
60 milionë dollarë të tjera fonde ndihmë ekonomike, që përsëri shtëpia nuk i kishte të regjistruara në defterin e vet për të llogaritur borxhin
44 milionë dollarë marrë nga buka e gojës invalidëve për kumarin elektoral që nuk figuronin.
40 milionë dollarë kontrata lokale të financuara nga buxheti si puna e rrugës në Elbasan që ka mbetur rrugëve por që është qeveria që ka marrë përsipër ta financojnë dhe nuk figuron
10 milionë dollarë mos rimbursim i tatimeve që u janë marrë mijëra njerëzve për kumarin elektoral dhe harbimin e të qëndruarit cdo kush në krye të një kryefamiljari të ikur në drejtim të paditur
20 milionë dollarë fatura të papaguara për qoka telefona, lloj detyrimesh të mbartura
Kur Çiljeta ja mori këngës më 28 nëntor teknologjia e zërit kushtoi 1 milionë e 420 mijë dollarë. Kjo është fatura e ahengut të një kryefamiljari që mori peng të ardhmen e shtëpisë dhe la prapa një rrëmujë në llogaritë e shtëpisë duke lënë te dera mijëra njerëz që thonë: Duam lekët tona.”- tha Rama. Sipas Kryeminstrit, nëse nuk do të ishte frenuar kjo formë e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, me ardhjen në qeveri të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, padyshim që vendi do shkonte drejt përsëritjes së situatës së vitit ’97, kur ranë piramidat financiare. Sipas Ramës ky buxhet jep mundësi të shlyejë borxhet e atyre njerëzve që presin tek dera dhe rimëkëmb ekonominë. Rama mbylli fjalën duke përdorur një shprehje nga dramat e Shekspirit: “Mjerë ti që gjuha të është bërë oratorja e turpit tënd”.
Replikon Berisha: Në udhëtimin e parë në Nju Jork ka fjetur në hotel me 4 mijë dollarë unë s’kam fjetur kurrë në një hotel më të shtrenjtë se 700 dollarë nata. Asnjë nga stafi im, nuk ka udhëtuar me biznes, manari i tij, Fuga udhëton gjithmonë në biznes ngjitur me të. Le ti krahasojë ku do të dojë por askush nuk më peshon për një qindarkë. Bëre mirë që shkove te Shekspiri sepse rëndom quhesh Edi Drama ndaj unë kam kohë që bëj thirrje për një vizitë psikiatrike. Vetëm një i sëmurë mund të mashtrojë administratën amerikane. Ky i ka thënë 7 vendeve se do i marr të gjitha armët kimike. Pas refuzimit të statusit detyroi kryeministrat e Europës të dalin të japin paralajmërimet. Çfarë prisni për të vizituar këtë njeri që me të rënë të lapsit merr borxh 1 miliardë dollarë dhe ndërton piramidën e financave të këtij vendi. Në vite të largëta ka shkuar me barrel dhe i lidhur për tu vizituar. Në tre muaj ke rrënuar marrëdhëniet ndërkombëtare rtë vendit, rrënon ekonominë dhe po e rrokullis atë, po rrënon Kushtetutën ligjet e kontrata. Në tre muaj çdo ditë e çdo orë gjeneron energji negative.
Replikon Rama: “Ajo që na takonte ne e bëmë dhe më 23 qershor e larguam problemin e tyre të madh nga qeveria. Ajo që na takon si shumicë pas 23 qershorit po e bëjmë duke mos ndërhyrë në problemin e madh që ka opozita, duke i dhënë asaj mundësi të ndihet mirë edhe kur ndihet mirë duke i bërë keq Parlamentit. Besoj se nuk na takon ne ajo që ju takon ju, që duhet të silleni me përgjegjshmëri, kur plakut i soset kandili nuk e lë të dalë nga shtëpia. Bëjeni këtë për veten tuaj, opozitën dhe për ta lënë Shqipërinë të vazhdojë përmes një debati normal mes nesh e jush e të mos e kthejmë në një lagje sa herë që plaku del nga shtëpia dhe i soset kandili.
Meta: Ju kujtoj që janë festat. Eshtë Krishtlindje.
Berisha: “Është i pafe ai, çdo 6 muaj ndërron besimin. Diskretitoi Shqipërinë, bllokoi statusin e vendit kandidat, zgjoi reagimin më të ashpër nga liderët europiane. Ai duhet të vizitohet
Nisja e debateve Rama-Berisha
Kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili në një fjalim të gjatë paraqiti projektbuxhetin, tha se ky nuk do të jetë buxheti i mazhorancës, por i shlyerjes së borxheve. “Buxheti 2014 jo buxhet elektoral për prerje shiritash duke thirrur rrugë, rrugë, duke e zhytur vendin në borxhe e duke e katandisur qeverinë në një Sude pazar, por është buxhet për shlyerje borxhesh dhe në ndihmë që atyre po falimentojnë. Duke shlyer këto borxhe të tuprshme për një qeveri jo vetëm vendosim dinjitetin e qeverisë”, tha ai. Ndërkohë që ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha ka lëshuar akuza të rënda mbi qeverinë si dhe fyerje personale. “Kjo është një ditë e vërtetë zie, kobi, për sipërmarrjen shqiptare, është një ditë zie, për buxhetin e familjeve shqiptare, për të papunët, dhe ata që janë në ndihmë ekonomike në këtë vend, me një akt absolut të papërgjegjshëm, një mendje e sëmurë me zero njohuri ekonomike”, tha ai dje. Në orën 02:00 deputeti i PD-së, ish- kryeministri Sali Berisha kërkoi ndërprerjen e seancës dhe rinisjen e saj më 26 dhjetor por nën/kryetari i kuvendit Vangjel Dule e kundërshtoi duke thënë se propozimi për ndërprerjen e seancës duhet të bëhet me votim dhe seanca nuk mund të vazhdojë më 26 dhjetor pasi nuk e lejon procedura.
Ministrat e kabinetit në mbrojtje të buxhetit
Ministrat e kabinetit qeveritar gjatë diskutimeve të gjata maratonë në Parlament kanë hedhur dritë mbi shpenzimet qe janë bërë nga qeveria e Berishës duke nxjerrë fakte për skandalet qeveritare. Si ish-kryebashkiak i Durrësit, ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka sjellë para deputetëve dhe publikut vjedhjen kriminale që është bërë nga konçesionet nga qeveria Berisha në portin e Durrësit. “Nga 14 miliardë porti merr më pak se 3 miliardë. Thënë me pak fjalë kjo është vjedhje dhe turp. I vjedhin shqiptarëve 20,4 miliardë lekë në vit”, tha ministri Koka. Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hodhi dritë mbi një tjetër skandal që sipas tij ka bërë qeveria e Berishës me lekët e shqiptarëve. “Si ka mundësi që i latë Ministrisë së Brendshme 26 milionë dollarë borxhe. Si ka mundësi që në 22 janar një ditë pasi miratuat shpërblim 2 milionë dollarë për grupin e zjarrit të Gardës së Republikës dhe nuk shlyet borxhet. Shpërblim vdekjes. Po të gjenit mundësi ta bënit pak më të mirë jetën e Festimit? Kush do përgjigjet për këtë që s’keni bërë? Kush do dalë nga ju?”, tha ai. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se kjo ministri duhet të paguajë 15 milionë dollarë borxhe që janë lënë nga qeveria e kaluar, që është e barabartë me 10 % e totalit të buxhetit 2014. Ministrja Kodheli renditi detyrimet e papaguara nga ish ministri Imami, ndërsa shtoi se 3 milionë dollarë janë shpenzuar shtesë për Shërbimin e inteligjencës Ushtarake, SHIU, në një kohë kur ky institucion kishte fondin e vet. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se “Buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 është 38,7 miliardë lekë, ndersa në vitin 2013 buxheti i shëndetësisë ishte 36,3 miliardë lekë. Ky buxhet është sa 2,8 % e PBB-së, niveli më i lartë i shpenzimeve publike për shëndetësinë në më shumë se 10 vitet e fundit”. Ky buxhet, sipas ministrit Beqaj , është nominalisht 6,6% më i lartë se buxheti i vitit 2013. Ai u ndal edhe te borxhet në këtë sektor, nga qeveria e kaluar qe kane aritur 4.4 miliardë lekë, nga te cilat 3,4 miliardë leke janë vetëm në QSUT.
Berisha: buxheti i gropës më të madhe në histori
Ish-kryeminstri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se kanë rritur taksat për 97 % të shqiptarëve, pasi u marrin lekët nga xhepat qytetarëve. Sipas tij, “kjo mendje sjell këtu gjoja buxhetin më të madh, sepse deliri i thotë se paraardhësi yt ka thënë është buxheti më i madh. Si struci del lakuriq sepse ky është buxheti i gropës më të madhe në histori. Për herë të parë, financat publike shndërrohen në një piramidë, që do e rrokullisë Shqipërisë në një skenar ogurzi”. “Këta rrenacak që kanë dy muaj që ju thonë ju se po ulin taksat, këta përsërisin si papagaj megamashtrimin e një mendjeje që prodhon çdo ditë gënjeshtra të tilla.”, tha gjatë fjalës së tij Berisha. “Ky është një buxhet i bazuar fund e krye në mashtrim. Doni të ulni taksat për 97 %, do i ulim ne. Duhet ulur TVSH-ja, sepse kjo është taksa që prek 97 % të shqiptarëve. Po çfarë po bëni ju, po rrisni naftën, taksat për banesa. Kur ka qenë ky zotëria në krye të bashkisë, mblidhte vetëm 10 % të taksës së banesës. Ky është një buxhet që e përjashton Shqipërinë nga investimet. Ka 6 muaj që sulmoni biznesin. Nuk ndodh në botë që kreu i ekzekutivit të bëjë beteja don kishoteske me biznesin”, tha gjatë fjalës së tij, Berisha. Sipas Berishës, qeveria Rama në tre muaj e rrëzoi ekonominë që i rezistoi krizës ekonomike. Ndërkaq, Berisha hodhi edhe akuza personale. “Mbylle gojën ti aty, – tha duke iu drejtuar kryeministrit Rama – sepse mund të të them gjëra që nuk dua ti them. Po të hy të flas për ty të pikturoj, portretin që sta ka bërë asnjë njeri, edhe nudo. Dëgjo ose dil jashtë. Ke rehat atë punën e synetit ti, por unë po flas për politikë. Të veshin me një këmishë të gjatë përpara se të bëjnë synetin, të kontrollojnë xherahët”, tha në fjalën e tij, Berisha. “U jap fjalën ju. Mos mendoni se shqiptarët do kapërdijnë gënjeshtrat tuaja. Ju u morët besimin por jo dinjitetin. Ua dhanë besimin, por dinjitetin s’ua japin kurrë. Të garantoj ty se çdo që them ta them drejt e në sy e jo nëpërmjet të tjerëve. Ti që fshihesh pas vetes tate, fshihesh pas disa Shalsëve. Ke përjashtuar të gjithë veriun dhe me shpatë ka ndarë veriun”, – theksoi në fund të fjalës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha. Fjalën e tij, Berisha e mbylli me një urim për Krishtlindjet. “Të dashur qytetarë, ju uroj për Krishtlindjet dhe uroj që kjo ditë të na frymëzojë për drejtësi sociale dhe për një marrshim drejt të vërtetave”, përfundoi fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha.
LSI pro buxhetit
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se buxheti i vitit është realist dhe shpresëdhënësës për ekonominë e vendit. Duke folur në emër të grupit të LSI-së, në mbyllje të debatit maratonë për pr/buxhetin 2014, Vasili tha se mënyra e diskutimit nga opozita nuk krijon produktivitet. “Maxhoranca, tha ai, i ka votat për të miratuar draftin ekonomik, por ky nuk është momenti që të shprehet mënyra sesi qeveriset, por është koha të mendojmë për qytetarin”. Vasili tha se në buxhetin e ri konstatohet një qasje pozitive drejt sektorëve si arsimi dhe bujqësia. Duke u ndalur tek paketa financiare, kreu i grupit të LSI-së, tha se ky projekt i qeverisë ka një meritë parësore që është parashikueshmëria e politikave fiskale, gjë që ka qënë e pamundur më parë. “Kjo rrit mundësinë për një planifkim më të qartë e më të detajuar të biznesit për ta evituar shpërqëndrimin e konfuzionin. Paketa e re fiskale kërkon dhe një angazhim tejet energjik në luftën kundër kundër korrupsionit, informalitetit, klientelizmit dhe monopoleve, dhe kjo kërkon funksionimin si duhet të administratës tatimore”, theksoi Vasili. Në fund të fjalës së tij në Kuvend, ai ftoi deputetët që ta përmirësojnë këtë buxhet me amendamente të tjera.
Debati Ahmetaj-Berisha: premtime dhe mashtrime
Duke mbrojtur buxhetin e vitit 2014, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka sulmuar qeverinë e kaluar, atë Berisha, për superborxhin prej më shumë se 740 milionë dollarë që la pas. “E lanë Shqipërinë me 740 milionë dollarë borxh vetëm sot të skanuara. Këta që ikën e lanë arkën bosh dhe përpara lanë një mal të madh me borxhe, rrapushiane që një qeveri e majtë si e jona duhet ti sistemojë dokumentojë dhe paguajë mbrapsht. Vendi ka humbur 1.4 milionë dollar keqmenaxhim nga taksat. Paketa rrëzon përfundimisht taksën e sheshtë dhe prezanton taksën progressive. Po 97 për qind të shqiptaërve përfitojnë. Heqim taksën e sëmundjës. Ne do të taksojmë më shumë duhanin se besojmë tek shëndeti i duhanit. Ky buxhet hap rrugën e zhvillimit të Shqipërisë”, tha gjatë fgjalës së tij, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Me një replikë të tij, menjëherë pas fjalës së ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe ministrave për buxhetin e vitit 2014. Sipas Berishës, ky buxhet fsheh dështimet e kësaj qeverie. “Dëgjuat këtu alternativën e Hermesit, e një hajduti që ka vjedhur 11 milionë dollarë dhe dosja ju mbyll nga prokurori socialist. Këto fjalë kanë në bazë fshehjen e shpërblimit për vitin e ri, rrogën e 13, të fshehë, rritjen e taksave. Të fshehë shndërrimin e të gjitha premtimeve, në mashtrime. Të fshehë, diskrimimin që është bërë me këtë buxhet. Të fshehë gropën më të madhe të buxhetit, që është bërë nga mendje e sëmurë. Të fshehë, nxjerrjen nga harta e Shqipërisë nga investimet. Skenarin alla Papandreu ndaj dhe nxjerrin ata që mund të mashtrojnë më shumë. Ky që foli para meje e kontrollon Canin, pasi e cilëson si matuf dhe e kontrollon të gjithin”, tha në replikën e tij në Kuvend, ish-kryeministri Sali Berisha.
Në planin e përgjithshëm të ardhurat në buxhetin e vitit 2014 parshikohen të jenë 364 miliardë lekë. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2013 do të ketë një rritje prej 13%. Për sa i përket fiskalitetit, të ardhurat nga tatim-fitimi pritet të rriten në vlerë absolute me 50%, ato nga TVSH me 11% dha ato nga akciza me 50%, në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2013. Prioritet i këtij buxheti është pagesa e 350 milionë dollarëve që qeveria u detyrohet bizneseve, ndërkohë që ministri i Financave Shkëlqim Cani parashikon një rritje ekonomike deri në 2.1 %. Në ditët në vijim buxheti dhe paketa fiskale 2014 do të vijojnë diskutimet në komisionet parlamentare dhe me grupet e interesit, për të reflektuar ndryshimet e mundshme. Në datën 28 dhjetor është lënë dhe seanca përfundimtare për votimin nen për nen, përpara se buxheti të hyjë në fuqi në muajin janar.