Tiranë | Grabitet qendra tregtare nga katër Babagjyshë të Vitit të Ri

Katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare “TEG” në kryeqytet, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 17:30 në një dyqan argjendarie në qendrën tregtare në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata. Katër grabitësit kanë hyrë si babagjyshë, duke luajtur me fëmijët, dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A. Sh.. Njëri prej tyre ka nxjerrë një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë dhe ka siguruar derën e saj, ndërsa tre të tjerët kanë zbrazur raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta. Punonjësit e sigurisë vetëm sa kanë mbajtur klientët e shumtë të qendrës tregtare të ditëve të festave dhe në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, duke mos rrezikuar ndonjë gjakderdhje. Pasi morën bizhuteritë dhe një sasi të konsiderueshme parash grabitësit, kanë zbritur tek vendparkimi i makinës, ku i priste bashkëpunëtori dhe me automjetin tip benz me targa AA147 FY, dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira. Pas disa minutash, automjeti është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë.

Advertisement