Kukësi kualifikohet në turin e dytë të Ligës së Europës, ndërsa Teuta, e drejtuar nga Gugash Magani, nuk eci dot më tej në këtë kompeticion. Skuadra verilindore e Shqipërisë arriti të kualifikohej me një gol në fushën kundërshtare. Ajo barazoi pa gola ndaj Flora Talin mbrëmë në “Qemal Stafa”. Skuadra e teknikut Armando Cungu arriti të merrte një biletë për turin tjetër pas golit të shënuar në fushën e estonezëve, në barazimin 1-1 të javës së shkuar, që është dhe rezultati final i dy takimeve. Në krahun tjetër, Teuta e Durrësit humbi në ndeshjen e kthimit në Kishiniev ndaj Dacias, me rezultatin 2-0. Nga një gol në secilën pjesë kanë pësuar “djemtë e detit”, aq sa për t’i thënë lamtumirë këtij kompeticioni për këtë edicion. Goli i shënuar në fushë kundërshtare, një javë më parë, i ka përparuar në turin tjetër moldavët, sepse rezultati total i dy ndeshjeve ka qenë 3-3.