Tiranë – KSHH mbështet protestat e banorëve të Thumanës

“Para dy ditësh, dy përfaqësues të organizatës sonë, shkuan në vend për t’u njohur me gjendjen, pretendimet dhe ankesat e këtyre shtetasve. I gjetëm ata fëmijë, pleq, gra e burra, në kushte të mjeruara. Ndonëse ishin përpjekur të strehoheshin në kasolle bagëtish dhe çadra të ngritura pranë shtëpive të prishura, nuk mund të mbroheshin nga shiu që binte pa pushim. E parë në vend gjendja e këtyre shtetasve dhe e pasurisë së tyre, ishte edhe më tronditëse sesa pamjet që kishim ndjekur nëpërmjet mediave elektronike”, citohet në këtë deklaratë. Duke bërë me dijeni se duke dëgjuar e vëmendje ankesat e pronarëve që deklaruan se nuk ishin kundër shpronësimit për interes publik të pasurisë së tyre të paluajtshme por, mënyrën se si vepruan strukturat e shtetit ndaj pasurisë së tyre, “e konsideronin antinjerëzore dhe një sjellje që nuk e prisnin nga shteti i tyre”. “Banorët na vunë në dijeni se në asnjë rast nuk ishin njoftuar zyrtarisht, ndërsa lidhur me shumat e caktuara për kompensimin e tyre, kishin ardhur në dijeni vetëm nëpërmjet shtypit të përditshëm”, citon Komiteti i Helsinkit. Në fund, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vlerësuar se është krijuar një situatë e rëndë, e krijuar nga disa organe shtetërore, ndërsa veprimet e kryera bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Advertisement