Kosovë – Rihapet aeroporti

E lidhur me këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës së bashku me Aeroportin e saj, kanë vendosur që nga mëngjesi i sotëm, rreth orës 06:00, të rifillojne fluturimet. “Ky vendim është marrë në përputhje me vendimin e ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian që pavarësisht hirit vullkanik, një pjesë e fluturimeve të fillojë”, deklaroi lidhur me një fakt të tillë, zëdhënësi i Aeroportit, Altin Ahmeti, duke pohuar se do të zhvillohen fluturimet nga Gjermania e Zvicra. Ndërsa pilotët do të informohen me shkallën e kontaminimit të hapësirës ajrore dhe ata vetë do të vendosin nëse do të fluturojnë apo jo. Në të njëjtën mënyrë, kanë vepruar edhe Shqipëria e Maqedonia gjatë ditës së sotme, të cilat nuk bllokuan plotësisht fluturimet, por vendosën restriksione. Ndërkaq, mbrëmë ishte njoftuar për anulimin e të gjitha fluturimeve dhe mbylljen e përkohshme të aeroportit prej orës 22:00 të ditës së martë e deri në orën 12:00 të ditës së sotme dhe sqarohet se mbyllja ishte bërë për shkak se pritej kalimi i hirit vullkanik edhe nëpër Kosovë. Kurse fluturimi nga “British Airuays” për/nga Londra për ditën e sotme ka konfirmuar anulimin e fluturimit të saj, ndërsa fluturimet e tjera janë duke u zhvilluar normalisht.

Advertisement