Kryeministri Rama uron kryeministrin e ri të Kosovës

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një letre ka uruar Kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa për postin e ri.

“Zoti Kryeministër,
I dashur Isë,
Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rendësi për Ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’Ju përcjell, me këtë rast, urimet me të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është mirëbesuar.
Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembulli i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Europian.
Cilado qofshin vështirësitë që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me Qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej Jush, realizimi i prioriteteve të axhendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë proces historik, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.
Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, do të ishte mëse e mirëpritur.
Me konsideratë të veçantë,
Sinqerisht,
Edi Rama
Sh.T.Z. Isa Mustafa
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Prishtinë”

Advertisement