Tiranë | Kryeministri Rama për armët kimike: asnjë plan që cënon shqiptarët

Cështja e shumëpërfolur ditët e fundit e çarmatimit të regjimit Sirian të Assadit nuk ka lënë pa prekur Konferencën Antikorrupsion. Kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe një herë qytetarët se nuk ka vend për alarm. “I mirëkuptoj me të vërtetë vajzat dhe djemtë, që shprehin protestën e tyre ndaj një çështje, që e ka përfshirë Shqipërinë, natyrshëm, si pjesë e Familjes Euroatlantike dhe si partnere e pandashme e SHBA-ve, por që mbetet me shumë të panjohura ende për publikun e gjerë.”, është shprehur kryeministri. Shumë të panjohura qoftë për faktin se thuhen shumë të pavërteta, por qoftë dhe për faktin se ndërkohë diskutimi vazhdon dhe shumëçka mbetet ende pjesë e një diskutimi intensiv, e një diskutimi të gjerë, e një diskutimi me përgjegjshmërinë më të lartë nga të gjithë dhe ju siguroj edhe nga Qeveria Shqiptare.” Kreu i ekzekutivit tha se cështja në fjalë “nuk ka asnjë kundërshti me refuzimin tonë për të importuar plehra nga jashtë. Përkundrazi, është rasti që secili të shohë dhe të kuptojë se janë dy gjëra pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën.” Duke nënvizuar se gjykimi i qytetarëve do të mund të bëhet vetëm mbi një plan të plotë dhe një marrëveshje të plotë, kryeministri theksoi se sot ende nuk kemi asnjërën prej tyre. “Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cënimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjyshe dhe gjysh, në këtë vend, duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një “Po” dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona, të kthehej në një problem.”, ka vijuar kryeministri Rama. Duke mbyllur fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se “sot Shqipëria, në kushtet që gjendemi, jeton në një mjedis të mbushur me hot spote dhe me grumbullime mbeturinash të rrezikshme për shëndetin dhe për të ardhmen. Kjo është një arsye për të medituar mbi mundësinë që një moment i tillë mund të jetë një shans i madh, jo vetëm për të bërë detyrën tonë me kokën lart, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë dhe më të pastër.”

Advertisement