Tiranë | Kryeministri Berisha: sharlatanët sulmojnë pa argumente këtë model qeverisës

alt

Kryetari i Qeverisë e bëri këtë deklaratë gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, ku e cilësoi propagandën e shefit të opozitës Edi Rama, si një propagandë që buron nga injoranca mbi financat. “Sharlatanë të vërtetë në këtë fushë e sulmojnë pa asnjë argument këtë model qeverisës, por ne do të vijojmë ta konsolidojmë këtë model suksesi. Propaganda sipas të cilës Banka e Shtetit po prek paratë për Qeverinë, vjen nga injoranca për financat”, tha kryeministri duke i cilësuar akuzat e opozitës mbi zhytjen e Shqipërisë në krizë si një “mashtrim periodik të opozitës për qytetarët, se qeveria nuk do të ketë para për qytetarët”. Kryeministri Berisha theksoi se opozita kërkon të rikthejë edhe njëherë modelin marksist, i cili siç tha kryeministri është një nga faktorët kryesorë të krizës së sotme financiare. Ndërsa, modeli i qeverisjes sonë, tha kryeministri, është modeli i bazuar në taksat e ulëta, klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën kundër korrupsionit. “E vërteta është se modeli ynë bëri që punonjësi që merrte 225 mijë lekë në vitin 2005 të merrte 500 mijë lekë në vitin 2010”, tha kryeministri gjatë mbledhjes së grupit të demokratëve. Sipas tij, pasioni i përjetshëm i socialistëve është të varfrit që krijon sistemi i tyre. Shefi i ekzekutivit iu referua Censusit të fundit të Popullsisë dhe Banesave, që sipas kryeministrit faktoi se në 4 vitet e fundit bizneset u gjallëruan sa në 15 vite të marra së bashku. “U ndala në këtë moment pasi statistikat e fundit bëjnë me dije se 50 për qind e biznesit aktiv janë të katërvjeçarit të mandatit tonë dhe dëshmojnë për suksesin e modelit tonë ekonomik. Dua të sqaroj se 60 për qind e tyre janë biznes i vogël, biznese shërbimi. Ajo që spikat në ekonominë tonë është se është ekonomi e mundit dhe e djersës. Ky model që kemi vendosur është modeli që mbështet në mënyrën më të fuqishme prodhimin. Nuk mund të ndodhte kurrë, që të dyfishohen eksportet në asnjë vend, sikundër ndodhi në Shqipëri”, tha kryeministri. Ai theksoi se kriza aktuale në Eurozonë dhe botë do të jetë më shumë se afatmesme, andaj diskutimi për ekonominë është kryefjalë e çdo lajmi. “Sot ka diskutime të shumta dhe më normalja është diskutimi për ekonominë pasi të gjitha lajmet e agjencive të mëdha janë të mbushura çdo ditë me lajme mbi zhvillimet ekonomike në rajon, Europë dhe botë. Kjo është koha në të cilën qytetarët kudo po bëhen më ekonomistë se kurrë, sepse po përballen me pasojat e një krize që do të jetë më shumë se afatmesme, e një krize që ka prekur thellë prodhimin, rrogat, pensionet dhe që po shkatërron me shpejtësi të madhe miliona e miliona vende pune”, tha Berisha. Ai siguroi se qeveria është e vendosur të thellojë më tej reformat, të nxisë prodhimin në vend, të rrisë transparencën, përmirësojë klimën e biznesit dhe të përfundojë procesin e privatizimit. “Ne jemi të vendosur që gjatë këtij viti të thellojmë më tej të gjitha drejtimet, të nxisim prodhimin, kemi një seri projektesh që do të nisin. Jemi të vendosur që të përmirësojmë klimën e biznesit, të bëjmë çdo hap drejt transparencës, pasi ky vend është ndër vendet më të pakta në Europë, që falë transparencës ia doli të funksionojë në partneritetin për qeverisje të hapur. Do të bëjmë gjithçka të çojmë deri në fund procesin e privatizimit, se ne sot jemi vendi më privat”, u shpreh kryeministri Berisha, duke nënvizuar se në themel të krizës financiare në Europë e botë, është mungesa e reformave.

Advertisement