Tiranë | Nis punën Komisioni Hetimor për Kreshnik Spahiun

alt

Kryetari i këtij komisioni, ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në këtë komision, i cili sipas tij nuk është ngritur për t’iu kundërvënë Kreshnik Spahiut, por për të hetuar veprimtarinë e tij në funksionin e lartë drejtues të KLD-së. Alibeaj nënvizoi se asnjë anëtar i komisionit hetimor që drejton, nuk ka konflikte interesi me Kreshnik Spahiun, duke sqaruar se Komisioni Hetimor ka për objekt dhe detyrë të verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për aktet dhe sjelljet, që sipas mazhorancës diskretitojnë rëndë pozitën dhe figurën e postit të lartë kushtetues të Zëvendëskryetarit të KLD-së, e që përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra. Për këtë arsye Alibeaj u shpreh se komisioni që drejton duhet të bëhet shembull për komisionet e tjera hetimore. Kreu i Komisionit Enkelejd Alibeaj bëri me dije gjatë mbledhjes së parë se komisioni i ka dërguar zëvendëskryetarit të KLD-së një letër zyrtare për të përcaktuar ditën kur ai do të paraqitet për të argumentuar qëndrimin e tij. Alibeaj lajmëroi se mbledhja e radhës së Komisionit për shkarkimin e Spahiut do të jetë të mërkurën në orën 11.00. Komisioni Hetimor parlamentar për nisjen e procedurave për shkarkimin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u miratua nga Kuvendi me 73 vota pro të mazhorancës dhe 57 kundër të opozitës me kërkesn e 33 deputetëve demokratë. Komisioni do të hetojë veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, i akuzuar nga mazhoranca se ka shkelur Kushtetutën dhe ka shpërdoruar funksionin e tij drejtues duke krijuar parti politike, akuzë që fillimisht erdhi nga kryeministri Sali Berisha dy javë më parë.

Advertisement