Tiranë | Kryeministri Berisha: Rama me sindromë obsesive

Partia Demokratike gëzon sot shkallën më të lartë të besimit që mund të gëzojë një forcë politike dhe që është më e larta që nga viti 1996. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. “Edhe në expoll-et më të fundit PD është në distancë me forcat politike më kryesore dhe ndodhet në kuota, në të cilat nuk ka qënë ndonjëherë nga viti ’96 e deri më sot”, theksoi kryeministri. Duke iu referuar kundërshtarit të tij politik, kryetarit të PS-së, Edi Rama, Berisha tha se “atij i është krijuar një sindromë obsesive, por 23 qershori ‘do ta ftillojë’ dhe prapë ai ka skenarin e 2009-s; Blushi do të fillojë lëvizjen e famshme “Mos i fol shoferit” e pastaj do të thotë po bëhem ‘asistent i shoferit’. Por, këto janë punët e tyre që nuk na interesojnë. Ne na intereson qeverisja me transparencë për katër vitet që vijnë”, deklaroi Berisha para deputetëve të PD-së. Më tej, Kryeministri theksoi se paketa e re e reformave, që do ndërmerret në kuadër të mandatit të ardhshëm synon nxitjen e prodhimit dhe rritjen ekonomike të vendit, duke i dhënë zgjidhje problematikave të qytetarëve. Berisha veçoi një sërë arritjesh gjatë dy mandateve të fundit të qeverisjes demokratike, të cilat tha ai, arritën që Shqipëria të ketë sot disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara dhe që janë të lidhura me jetën e qytetarëve. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë vuri në dukje reformat në fushën e arsimit, shëndetësisë, në infrastrukturë, etj, të cilat sipas tij, e mbrojtën Shqipërinë nga rënia në recesion. “Këto reforma i përkasin dy mandateve të mëparshëm me të cilat ne transformuam vendin. Por, mandati i ardhshëm kërkon reforma të tjera, të cilat të ndikojnë pozitivisht tek qytetarët”, tha Berisha.

Advertisement