Kryeministri Sali Berisha, tha pas mbledhjes me krerët e grupeve të punës për Tiranën në selinë e PD-së, se makineria elektorale e PD-së po ecën me xhiro të plotë drejt fitores. “Mbledhja ishte teknike për të analizuar çfarë u bë midis dy mbledhjeve dhe tani natyrisht selia është në një gjallëri dhe veprimtari të madhe, po bëhen përgatitje intensive dhe makineria elektorale e Partisë Demokratike është në xhiro të shpejta. Po fuqizohen çdo ditë dhe më shumë. Ne jemi të vendosur të angazhohemi në një fushatë elektorale më të qytetëruar deri sot, në një fushatë elektorale ku do adresojmë të gjithë problematikën e vendit. Do të debatojmë për një program që ka si synim kryesor Shqipërinë, vendi i zhvilluar, Shqipërinë Evropiane”, tha Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike. Duke ironizuar kandidimin e Alfred Pezës si kandidat i PS-së në Peqin, Berisha tha se pikat kyçe të PD-së janë programi dhe aleatët, ndërkohë që, sipas tij, PS-së po i largohet aleatët. Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ndihet i frikësuar për koalicionet pasi “fitorja e demokratëve bazohet tek programi dhe aleatët”. Sipas tij, PD në 20 vite të saj nuk regjistron asnjë precedent të largimit të aleatëve. “Fitoren e bazoj tek programi i PD-së dhe aleancat dhe këtë e kam faktuar. Aleancat mund t’i mbash kur ke një qëndrim korrekt, luajal dhe konstruktiv. Në një 20 vitet nuk gjen një aleat të larguar nga Sali Berisha të ketë thënë se po ik për shkak të mungesës së luajalitetit të tij. Pra është një linjë që bazohet në një fushatë të qytetëruar, në arritje të mëdha dhe vlerësim kritik të të gjithë veprimtarisë së saj. Kjo parti është në xhiro të plotë dhe nuk është aspak e ftohur”, tha Kryeministri Berisha.