Tiranë | KQZ shqyrton disa kërkesa ankimore të forcave politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi me 4 votat e anëtarëve të pranishëm, ankimimet e pesë subjekteve zgjedhore që kundërshtojnë rezultatet e votimit në qarkun e Fierit. KQZ refuzoi ankesat e Partisë Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, të Partisë Popullore Kristiandemokrate të Shqipërisë, të kandidatit të pavarur Dritan Prifti, të Partisë Demokristiane dhe të Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 4 korrik për qarkun Fier. Pas shqyrtimit administrativ të çështjes, anëtarët e KQZ-së konstatuan se kërkesat ankimore nuk kanë bazueshmëri ligjore aq sa ta detyrojnë Komisionin që të investohet për të bërë rinumërim dhe rivlerësim të votave në një numër qendrash votimi të kësaj zone zgjedhore. Sipas vendimit të KQZ-së, ndarja e 16 mandateve të qarkut të Fierit është: 11 mandate për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mireqenie dhe Integrim”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu rrëzoi kërkesat ankimore të tre partive për rezultatin e votimit në qarkun e Elbasanit. 14 mandatet e qarkut të Elbasanit sipas vendimit të KQZ-së janë ndarë: 8 mandate për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 6 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mireqenie dhe Integrim”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për të mërkurën vendimin për shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Republikane që kundërshton vendimin e KQZ-së për rezultatin e votimit në qarkun Shkodër. Gjatë shqyrtimit administrativ të kësaj çështje, përfaqësuesit e PR-së kërkuan rivlerësim ose rinumërim në rreth 63 qendra votimi të këtij qarku, pasi siç pretendon subjekti ankimues “ka pasur parregullsi”. Sipas vendimit të KQZ-së të datës 5 korrik, 11 mandatet e qarkut Shkodër u ndanë: 6 mandate për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”.

Advertisement