Vdes Cory Monteith

Cory Monteith u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Vancouver, Kanada. Aktori 31 vjeçar i famshëm për rolin e Finn Hudson në serialin e famshëm e të suksesshëm “Glee”, ndërroi jetë nga shkaqe ende të pa zbardhura. Për momentin policia ka dhënë vetëm lajmin e vdekjes pa dhënë informacione të tjera në pritje të autopsisë. Aktori u gjend nga stafi i Fairmont Pacific Rim Hotel, hotel në të cilin rrinte prej disa ditësh, pasi ai nuk kishte bërë check-out në orën e fiksuar. Disa punonjës kishin hyrë në dhomë dhe e kishin parë Cory-n të vdekur. Një natë më parë ai kish dalë me disa miq, të cilët po merren në pyetje nga policia. Megjithatë policia ka bërë të ditur se në dhomë nuk janë gjetur shenja të ndonjë gjëje që të çon të mendosh për një vdekje të dhunshme.

Edhe në të shkuarën Cory Monteith ka pasur probleme me drogën dhe alkoolin dhe prillin e shkuar kish qenë dhe në një qendër rehabilitimi. “Ndihem me fat që jam ende gjallë. Kam kaluar shumë ura. Kisha një problem serioz, isha në rehabilitim e më pas u riktheva të bëja atë që bëja më parë. I kam vjedhur shumë para një familjarit tim, e dija që do të më kapnin një ditë, por isha kaq i dëshpëruar sa nuk më bënte fare përshtypje. Ishte një thirrje për ndihmë”,- ka deklaruar ai asokohe. Ndërkohë Lea Michele, partnere në sheshxhirimin e GLEE e në jetën reale, hesht dhe merr mbështetjen e të gjithë fansave nëpër rrjetet sociale. Lajmi bëhet akoma më i dhimbshëm kur kujtojmë se vitin e ardhshëm Cory Monteith dhe Lea Michele do të martoheshin.

Advertisement

cory-monteith-lea-michele-4