Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi sot nënshkrimin e kontratës me kompaninë spanjolle INDRA, e cila do të realizojë projektin e “Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës”. “Kompania spanjolle INDRA u shpall fituese e proçedurave prokuruese për këtë projekt dhe negociatat mes kësaj kompanie dhe KQZ kanë përfunduar ditën e shtunë”, deklaroi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj. “Theksojmë edhe një herë se vonesat në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë projekt erdhën jo vetëm për shkak të kompleksitetit të tij, por edhe për shkak të rritjes së Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës, të cilat nga 875 QV në zgjedhjet e vitit 2011 u bënë 1420 QV këtë viti, si rezultat i zbatimit të kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor”, vijoi Hoxhaj. Sipas saj, “duke përfshirë të gjitha ndryshimet e përmendura më sipër, vlera e ofruar nga kompania INDRA për realizimin e këtij projekti është 2, 660,995 Euro pa TVSH”. Edhe pse negociatat zgjatën tej parashikimeve, shtoi Hoxhaj, “në kontratë është parashikuar që testi i parë i këtij projekti do të zhvillohet me datë 23 prill 2013, ashtu si parashikohet në Kodin Zgjedhor. E theksoj se testi i parë do të zhvillohet në afatin e parashikuar në Kodin Zgjedhor, pra data 23 prill 2013”. “Pavarësisht konstitumit me vonesë të KQZ-së, që ndikoi dhe në tejzgjatjen e afateve të proçedurave prokuruese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar maksimalisht që dy projektet pilot, Sistemi Elektronik i Numërimit të Votave në qarkun e Fierit dhe Sistemi Elektronik i Verifikimit dhe Regjistrimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, të realizohen me sukses”, theksoi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.