Tiranë | Kryeministri Berisha: nuk do rrisim taksat për biznesin e vogël

Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit të vogël në Bërzhitë, Tiranë, se “qeveria nuk do të rrisë taksat për biznesin e vogël”.“E rëndësishme është që ne të hartojmë një projekt që biznesit të vogël t’i krijojmë lehtësi maksimale, pasi ky është biznesi që gjeneron më shumë punë.” theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se, “sot ka një diskutim të heqim taksën mbi biznesin e vogël, e cila është më e vogël se taksa që hoqëm ne mbi të ardhurat personale, por taksa nuk hiqet, këtë deklaratë e bëjnë vetëm ata të cilët janë kundër ligjit, si zotëria që është kundër ligjit dhe thotë mos paguani gjobat, që le sharrën të presë pyjet, që të bëhet evazioni sa të mundet”. Kryeministri Berisha theksoi se, “taksa progresive është taksa e Marksit , është taksa me të cilën synohet që mos të lejohen njerëzit të pasurohen. Unë nuk kam frikë nga pasuria juaj, unë besoj se pasuria juaj e biznesmenëve të mëdhenj është një pasuri kombëtare , e cila kthehet në vende pune, në rroga për qytetarët në zgjerim të aktiviteteve , ndaj unë ju premtoj ju se përsa kohë të votoni PD ju nuk do të keni ndonjëherë rritje taksash”.

Advertisement