Tiranë | KQZ miraton modelin e tabelave të rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot modelet e dokumenteve që do të përdoren nga Grupi i Numërimit dhe Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për nxjerrjen e rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në një mbledhje që zgjati pak minuta, anëtarët e Komisionit miratuan pa debate vendimin e propozuar nga administrata zgjedhore, që përcakton modelet e dokumenteve që do të përdoren për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve, si nga GN-të dhe nga KZAZ-ja. Për Grupet e Numërimit është përgatitur një model për pasqyrimin e rezultateve të qendrës së votimit, (modeli 57-13). Është menduar që krahas kundërshtimeve, nëse kanë anëtarët e GN-së, dhe vendosjes së numrit të kodeve të vulave të sigurisë që mbyllet kutia e votimit, anëtarët e GN-së të firmosin në tabelën e rezultateve, para se ajo të dorëzohet në KZAZ. Për KZAZ-në është përgatitur modeli për tabelën përmbledhëse të rezultateve të zonës së administrimit zgjedhor (modeli 40-13). Në këtë model pasqyrohen rezultatet e çdo subjekti, për çdo qendër votimi, sipas origjinaleve të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi, të plotësuara nga grupet e numërimit. Gjithashtu, është përgatitur dhe modeli i vendimit (model 40-13 V), që do të marrë KZAZ për miratimin e tabeles përmbledhëse të rezultateve për ZAZ-në përkatëse.

Advertisement