Ministrja e Mbrojtjes, njëherësh ish-deputete e qarkut të Lezhës, Mimi Kodheli, duke folur në seancën e sotme parlamentare, hodhi poshtë pretendimet e opozitës, sipas së cilës, spostimet në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në Lezhë, po bëhen nën presionin e mafias. Kodheli tha se Mejreme Delishi kërkoi lënien e mandatit të deputetes për arësye shëndetësore, ndërkohë që e cilësoi të turpshme sjelljen e opozitës në Kuvend ndaj një zonje, sipas saj, të respektuar. “Ky debat dhe ky shou nuk është i denjë për gratë shqiptare, e për më tepër, për ato që përfaqësojnë gratë shqiptare në këtë Kuvend”, tha Kodheli. Ajo shprehu keqardhje se “në emër të grave, po abuzohet pikërisht me gratë”.