Tiranë | Marrëveshje 1.7 milionë dollarë me qeverinë kineze

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Kinës në Tiranë, Ye Hao, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunimin ekonomiko-teknik midis të dy vendeve. Marrëveshja e nënshkruar parashikon dhënien e një granti prej 1.7 milionë dollarësh nga qeveria kineze për investime kryesisht në infrastrukturë, arsim e zhvillimin rajonal. Ministri Ahmetaj tha se qeveria shqiptare do të jetë e angazhuar për dhënien e hapësirave për investitorët kinezë në sektorët strategjikë. Ahmetaj informoi se në Qendrën e Regjistrimit Kombëtar, QKR, janë të regjistruara 83 kompani kineze, ndërsa shprehu bindjen se ky numër deri në fund të vitit do të dyfishohet. Kompanitë kineze, tha Ahmetaj, kanë shprehur interes për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si infrastruktura, prodhimi e turizmi. Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Ye Hao, duke vlerësuar bashkëpunimin me Shqipërinë, tha se investitorët kinezë shohin me interes investimet në infrastrukturë dhe bujqësi.

Advertisement