Tiranë | Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, PS bashkohet me PBDNJ

Partia Socialiste ka përfshirë në koalicionin e saj edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Palët firmosën në selinë e PS marrëveshjen e koalicionit ndërsa rreth orës 11:40 të dy kryetarët, Rama dhe Dule dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku shprehën kënaqësinë e këtij bashkëpunimi mes dy partive. Rama u shpreh se për marrëdhëniet e PS me PBDNJ, flet vetë tradita e miqësisë. Rama shtoi se koalicioni do të quhet, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. “Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane në raportet tona me Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, flet tradita e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënie të mirë e mbështetur tek reciprociteti. Jam i kënaqur që me mikun tim Dule të hyjmë së bashkë në koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Sipas kreut të PBDNJ, ka ardhur koha për rrotacion politik me qëllimin e vetëm, siç tha ai, t’i hapet rruga perspektivës europiane. “Jemi sot në konkludim për bashkëpunim me PS. Bashkëpunimi ynë nuk është bashkëpunim që ka filluar rishtazi,. Është prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt, se njohim mirë njëri-tjetrin si forca politike, pikat e përbashkëta sikurse dhe vështirësitë që kemi pasur në të shkuarën. Pas vitesh në opozitë është momenti të realizohet rrotacioni i shumëdëshiruar. Jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendin perspektivës në familjen europiane. Ky bashkëpunim do ketë kontributin qoftë dhe sa më të vogël”. “Faleminderit, zgjerimi i koalicionit vijon!”, ishte ndërhyrja e Ramës në fund të konferencës për shtyp. Mësohet se PS ka pranuar që t’i japë një deputet PBDNJ-së në një vend të sigurt në listat e saj, ndërsa partia e Dules do të tërhiqet nga anëtari i KQZ-së dhe ai në ZAZ-të, duke ia lënë LSI-së së Ilir Metës.

Advertisement