Serbi | Qeveria miraton marrëveshjen me Kosovën, i hapen rrugët drejt BE-së

Qeveria serbe i hapi sot dritën e gjelbër marrëveshjes në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, qeveria urdhëroi ministritë të marrin masat e nevojshme për të vënë në zbatim marrëveshjen dhe për të vazhduar aplikimin e marrëveshjeve ekzistuese me përfaqësuesit e institucioneve të Prishtinës”, sipas një komunikate të kabinetit të kryeministrit serb, Ivica Daçiç. Ndërkohë, me 89 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi mbrëmë marrëveshjen e arritur në Bruksel midis Kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç. Menjëherë Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për vendet anëtare për hapjen e negociatave për Marrëveshjen për MSA-në me Kosovën, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE. Lajmi u konfirmua nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, i cili publikoi njoftimin në faqen e tij personale në rrjetin social ‘Twitter’. Në raportin e KE-së, për Serbinë vlerësohen hapat e dukshme që qeveria ka bërë në marrëdhëniet me Kosovën. “Serbia ka bërë hapa konkrete në lehtësimin e dialogut me Kosovën si dhe ka përmbushur kriteret politike dhe kushtet e MSA. Do vijojmë të monitorojmë zhvillimet në Serbi”, thuhet ndër të tjera në raport. Ndërkohë, sa i takon Kosovës, raporti i Komisionit Evropian nënvizon hapat domethënëse dhe konstruktive që vendi ka bërë në lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimi i mirë me EULEX. “Kosova dëshmoi përpjekjet e saj kundër krimit e korrupsionit dhe bashkëpunim të mirë me EULEX. Kosova hapa domethënëse në marrëdhëniet me Serbinë dhe në lehtësimin e dialogut”, thuhet në raport. Komisioni Evropian thekson se marrëveshja e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet nga të dyja palët.

Advertisement