Nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi dy propozimet e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për gjyqtarët I.P dhe H.Ç. Pas diskutimeve, Presidenti Nishani u shpreh se moszbardhja e vendimeve gjyqësore në kohë nga gjyqtarët është një veprim i patolerueshëm për KLD. Vonesa të tilla sidomos në raste të përsëritura, janë të pajustifikuara dhe krijojnë përceptimin negativ. Në këtë linjë, Presidenti Nishani theksoi se, “Unë besoj që një nga problemet më thelbësore që shqetëson sot qytetarët është mos zbardhja në kohë e vendimit. E ritheksoj se moszbardhja e përsëritur e vendimeve gjyqësore nuk ka arsye tjetër veç aferës korruptive. Inspektorati i Këshillit duhet të inspektojë në mënyrë të pandërprerë dhe gjatë gjithë kohës dhe nëse gjenden sërish me shkelje të njëjtët gjyqtarë, nuk ka më justifikim”. Këshilli, shqyrtoi gjithashtu projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 8 (tetë) gjyqtarë: 1- Bedri Qori, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; 2- Guximtar Boçi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër; 3- Daniela Shirka, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan; 4- Ergys Selmani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 5- Alltun Çela, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; 6- Alfred Konomi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 7- Bernina Kondi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë; 8- Ramazan Avdiu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Këshilli vendosi gjithashtu delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.