Për herë të parë, sic edhe ishte njoftuar më parë, është mbledhur Këshilli Ekonomik Kombëtar, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë prezantimit të Këshillit, Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria duhet me patjetër që krizën e ekonomisë dhe të financave të veta ta kthejë në një oportunitet për ta kapërcyer, duke dalë më e fortë. Anëtarëve të Këshillit ju paraqit një draft për sugjerimet e tyre, në mënyrë që Këshilli Ekonomik të nxjerrë konkluzionet dhe masat e duhura për përballimin e krizës. “Është një draft që synon të na çojë, si qeveri, drejt një vendimi që e institucionalizon Këshillin Ekonomik Kombëtar si një strukturë që nuk varet nga humoret e qeverisë, por që kthehet në një strukturë, sigurisht konsultative, por njëkohësisht edhe bashkëshoqëruese e gjithë procesit të analizës, të përgatitjes së vendimmarrjes dhe të vetë vendimmarrjes së qeverisë shqiptare, për të gjitha ato aspekte që kompetencat e kësaj përfaqësie janë më shumë sesa të plota” theksoi kryeministri Rama. Kreu i qeverisë njoftoi se Këshilli do të mblidhet një herë në tre muaj për të diskutuar zhvillimin e politikave ekonomike dhe financiare, ndërkohë që cdo muaj Këshilli do të mblidhet pa ekspertët e huaj dhe pa praninë e Kryeministrit, për ndjekjen e cështjeve aktuale. Në këtë kuadër shefi i qeverisë deklaroi se do të ngrihet edhe zyra për ankesat e sipërmarrjeve për të luftuar të gjitha fenomenet problematike si sjellja e papërshtatshme e organeve që ndjekin cështje të sipërmarrjes. “E, kështu, të gjithë ata që në emër të administratës shqiptare, tatimore, doganore apo në çdo pjesë tjetër të shërbimeve ndaj sipërmarrjes, që janë në kontakt me sipërmarrjen, ta mësojnë jo vetëm me fjalë, por edhe me shembuj se kur shkojnë të dhunojnë apo të kërcënojnë një sipërmarrje, për të marrë para e korrupsion mund të përfundojnë pre e një transparence që garantohet nga marrëdhënia konstante mes sipërmarrjes dhe qeverisë” sqaroi Rama. Këshilli Ekonomik Kombëtar do të trajtojë situatën e ngarkuar të borxheve të qeverisë ndaj të tretëve, por edhe problemet që lidhen me borxhin publik dhe deficitin. “Në këtë situatë gjendemi, vijoi kreu i qeverisë, kjo është situata që po diskutojmë intensivisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore. Nga ana tjetër kemi probleme që lidhen me vetë borxhin publik, kemi probleme që lidhen me deficitin. Ana tjetër e planit tonë, çfarë duhet të bëjmë që kjo që bëjmë në afatshkurtër të funksionojë në afatmesëm dhe afatgjatë, si një gur themeli për një politikë të re ekonomike dhe fiskale. Sigurisht që ky Këshill është vendi i duhur për të diskutuar edhe për vetë aspektet problematike të strukturës së ekonomisë sonë, në kushtet kur dy burime të mëdha të kësaj rritjeje ekonomike sot mund të konsiderohen të shteruara, ose së paku jo më burime rritjeje decizive.” Kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë duhet një rritje ekonomike me punësim, që do të thotë një ekonomi prodhuese dhe një ekonomi që mund të krijojë vende të reja pune.