Tiranë | Kryeministri Rama: Është mbyllur koha e daulleve qeveritare me dokumentet e integrimit

Komisioni Evropian vlerësoi sot se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat. Raportin e Progresit Kryeministrit Edi Rama ia ka dorëzuar Ambasadori i BE-së, në Tiranë, Ettore Seqiu. “Nuk ka asgjë për të festuar”, është shprehur Kryeministri Edi Rama pas takimit me Ambasadorin e BE-së. Për Kryeministrin lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentet e integrimit evropian ka mbaruar në 23 qershor. Një tjetër mesazh i dhënë në konferencën për shtyp nga Kryeministri ka qenë dhe mbyllja e “kohës së qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian”. “Risia e madhe e kësaj here, është se për herë të parë Raporti i Progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore – me të cilat ne jemi 100% dakord. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës, liritë dhe të drejtat themelore. Më vjen sinqerisht mirë që Raporti i Progresit e nënvizon frymën gjithëpërfshirëse në vijën e sjelljes së shumicës sonë qeverisëse dhe me bindjen se kjo është e vetmja vijë evropiane sjelljeje me opozitën dhe me publikun në tërësi, ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar qoftë në Kuvend dhe qoftë si qeveri që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare.”, është shprehur kreu i qeverisë. Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi tha se Komisioni Evropian vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe rekomandoi që t’i jepet statusi i vendit kandidat “me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë hapa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. “Isha veçanërisht i kënaqur kur dëgjova zotin Kryeministër që përmendi një fjalë, e cila për ne është një fjalë kyçe në këtë proces dhe kjo ishte fjala gjithëpërfshirje. Dëshiroj që me këtë rast unë të shpreh disa ndjenja, të cilat ne vërtetë i kemi përjetuar në Bruksel. Unë në fakt i shpreha zotit Kryeministër përgëzimet në postin e tij si Kryeministër i vendit, por edhe si kryetari i opozitës së atëhershme për suksesin e arritur, por po ashtu edhe për angazhimin që ka pasur. Megjithatë është e drejtë, në fakt, që të bëhen publike dhe të njihen angazhimet dhe rezultatet që janë arritur edhe nga ajo që është opozita sot në Shqipëri, pikërisht për këtë sukses të arritur. Është vërtetë thelbësore dhe duhet theksuar që procesi i integrimit evropian duhet të vazhdojë të mbetet një përpjekje e vërtetë kombëtare e të gjithë shqiptarëve dhe një projekt gjithëpërfshirës.”, ka thënë ambasadori Sequi në fund të fjalës së tij.

Advertisement