Tiranë | Inaugurohet projekti i regjistrit dixhital noterial

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi projektin e Regjistrit Dixhital Noterial, ‘e-Noteria’, si një arritje të madhe në konsolidimin e transparencës në fushën e drejtësisë. Duke folur gjatë inaugurimit të këtij projekti, Berisha u shpreh se Ministria e Drejtësisë, në një hark kohor të shkurtër arriti të aplikojë në themel të punës së sistemit të drejtësisë transparencën më të madhe, projektet dixhitale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarit. Sipas Kryeministrit, noterët luajnë një rol të jashtëzakonshëm në konsolidimin e sistemit të drejtësisë. “Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në çdo hap, nëse shoqërohet nga transparenca, kemi sigurinë më të madhe që konsolidohet nga një kod etik pune. Jemi dëshmitarë të vendosmërisë së zyrës së noterëve për të përqafuar sistemet e reja të transparencës”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se rendja në botën dixhitale për shqiptarët ka qenë jetike, për shkak të një prapambetjeje të pamohueshme që për shumë rrethana kemi trashëguar. Nuk ka rrugë më të shkurtër se Shqipëria dixhitale për t’u shkëputur nga ajo prapambetje. Kryeministri Berisha tha se do të jetë e afërt dita kur qytetari shqiptar, përmes celularit të tij, do mund të marrë dokumente në mënyrë dixhitale. Sistemi i Regjistrit Noterial Shqiptar është një financim i buxhetit të shtetit, me vlerë 34,238,904 lekë, me anë të të cilit do të bëhet i mundur regjistrimi i akteve dhe veprimeve noteriale në një sistem qendror dhe kombëtar. RNSH do të jetë online 24 orë dhe në çdo moment mund të kryen veprime dhe të shikohen të dhëna. Sistemi është në formën e arkivës dixhitale, ku secili aktor pjesëmarrës do të ketë të drejta dhe nivelin e sigurisë përkatëse. Përdoruesit e RNSH janë: Noterët; Dhoma e Noterisë; Ministria e Drejtësisë; Institucione të tjerë si inspektorate apo investiguese, Institucionet tatimore; etj.

Advertisement