Tiranë | Westerwelle: mbështesim integrimin, nuk bëjmë lëshime për kriteret

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, konfirmoi sot mbështetjen e vendit të tij në procesin integrues të Shqipërisë në strukturat europiane. Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti, kryediplomati gjerman e vuri theksin mbi rëndësinë e zbatimit të kritereve që BE i ka vënë Shqipërisë si kusht për integrimin. “Është e rëndësishme që Shqipëria të zhvillojë një proces zgjedhor sipas standardeve europiane”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një ndër kushtet kryesore për integrimin e vendit. Po kaq me rëndësi ai cilësoi edhe arritjen e një konsensusi të brendshëm mes forcave politike, çka, sipas tij, do i jepte shtysë të madhe procesit integrues. “Shqipëria e përqëndron shikimin e saj drejt Europës dhe Gjermania mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Por, më parë duhet të plotësohen disa kritere dhe nuk mund të bëjmë lëshime për plotësimin e tyre, sikurse nuk do të ketë vështirësi të veçanta për Shqipërinë”, tha ministri gjerman. Ai tha se “pasi të jetë marrë raporti i zgjedhjeve, atëherë do të marrim dhe vendimin mbi ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit”.

Advertisement