Tiranë | Inaugurohet Instituti Konfuci, Kryeministri Rama vlerëson miqësinë mes dy vendeve

Instituti Konfuci hapi sot një degë të tij në Tiranë, në partneritet me Universitetin e Tiranës. Instituti Konfuci është një institucion publik jo fitimprurës i Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, që synon përhapjen e gjuhës dhe kulturës Kineze në botë. Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e çeljes së Institutit u shpreh se “Instituti i Konfucit, është këtu për t’i folur të nesërmes”. Duke e çmuar këtë institucion, si një vlerë që do t’i japë një dimension dhe hapësire të re marrëdhënieve mes dy vendeve, Kryeministri tha se Instituti i Konfucit do të ndihmojë edhe në bashkëpunimin me sektorë të tjerë, të cilët në këto vite kanë qenë të mangët në aspektin e njohjes së mjaftueshme të vendeve mes njëri-tjetrit.”Unë kam shumë kuriozitet për aktivitetet dhe kurset që do të zhvillohen në Institutin e Konfucit, sepse bëhet fjalë për shumë më tepër sesa kulturën kineze si një kulturë më vete. Bëhet fjalë për një tërësi shumë të pasur kulturore të cilën në Shqipëri, por jam i bindur edhe në rajon, e njohim më pak sesa përciptas, ndërkohë që vendet e zhvilluara perëndimore ka kohë që e studiojnë dhe e shfrytëzojnë, jo thjesht për të intensifikuar bashkëpunimin aktiv me Kinën, por për të integruar në kulturat e tyre të vjetra dhe të pasura, një dimension të kulturës njerëzore që është i posaçëm në kulturën kineze.” është shprehur kreu i qeverisë. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi se Instituti i Konfucit në Tiranë mund të kthehet në një qendër rajonale të njohjes së kulturës dhe gjuhës së këtij populli me rëndësi dhe peshë botërore, si dhe të jetë një qendër e rëndësishme aktivitetesh dhe dialogu kulturor e shkencor. Kryeministri vlerësoi marrëdhëniet tradicionale miqësore mes Kinës dhe Shqipërisë, si lidhje të forta që i kanë rezistuar kohërave dhe shprehu besimin se prania e institucioneve të tilla në vendin tonë do të shërbejnë në forcimin e një dimensioni krejt të posaçëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Advertisement