Sarandë | Bashkia: nuk do të tolerohet asnjë ndërtim pa leje

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa e ka cilësuar aksionin e nisur një javë më parë nga Inspektoraiti Ndërtimor Urbanistik Vendor, si sinjalin e parë të një operacioni të gjatë kundër ndërtimeve të paligjshme. Aksioni i ndërtimorëve të Sarandës nisi një javë më parë me pastrimin nga strukturat dhe shkallët e drurit, muret rrethues të ngritura pa leje, nëshetitoret dhe hapësirat e plazheve poshtë saj. Çipa tha se në planin e prishjeve përfshihen dhe lokale që kanë prekur interesat e qytetarëve, duke u marrë pjesë nga shetitorja e tyre dhe , duke e bërë antituristik imazhin e qytetit të përbashkët. “Këto hapësira ne do t’i kthejmë në shërbim të të gjithëve”, ka deklaruar ai gjatë një konference për shtyp me përfaqësuesit e medias. Kryetari i bashkisë së Sarandës, falënderoi bizneset që kanë treguar mirëkuptim dhe i kanë prishur ngrehinat e tyre ndërsa vlerësoi mbështetjen që forcat e Rendit kanë dhënë në planin operacional të Bashkisë për prishjet e këtyre ndërtimeve. Ai bëri të ditur se 15 objektet e listuara janë vetëm fillimi, pasi sipas tij, prishtjet do të vazhdojnë me intensitet në rritje, duke u shtrirë kudo ku është prekur dhe shkatërruar territori dhe ku është cënuar interesi publik, deri në afërsi të kufirit me vendin fqinj, Greqinë. “Këto javë që kanë mbetur deri në fund të vitit, ne i kemi shpallur javë të kontrollit të fortë e të rreptë mbi territorin që administron Bashkia e Sarandës”, siguroi Çipa. Ai tha se në ndihmë të aksionit të ndërtimorëve është kërkuar mbështeja e Ministrisë së Mbrojtjes për një fadromë, e cila është e nevojshme për shembjen e ndërtimeve betonarme dhe me blloqe betoni, mjaft prej të cilave ende nuk kanë një pronar të bërë publik. “Ne nuk do të lejojmë që moratoriumi i vendosur nga Bashkia e Sarandës për gjithë këtë periudhë gati 3-vjeçare, ku nuk gjen asnjë leje ndërtimi të vetme të dhënë nga ana jonë, të sfidohet nga njerëz që nuk kanë pyetur për pushtet vendor e për ligjin urbanistik”, tha Çipa. Ai ka siguruar se çdo ndërtim që do të rezultojë pa leje apo me shmangje nga lejet e dhëna më parë, do të shembet, ndërsa hapësirat e zëna prej tyre do t’i kthehen qytetarëve. “Shumë prej tyre do të kthehen në sipërfaqe të gjelbëra, sikurse kanë qenë përpara se ato të zaptoheshin”, cilësoi për median kryebashkiaku i Sarandës.