Zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, tha sot se nga vendimi i Këshillit të Ministrave për barnat, i miratuar në mbledhjen e fundit, synohet furnizim i popullatës me barna përgjatë vitit dhe të spitaleve për pacientët, por edhe ulje e çmimit të barnave. “Në këtë procedurë që kemi ndërmarrë kemi pasur dy qëllime kryesore, qëllimi i parë është që të shikojmë sesi të mund të furnizojmë popullatën më mirë me barna, sesi mund t’a shpërndajmë këtë furnizim gjatë gjithë vitit dhe sesi munden institucionet tona shëndetësore të kenë mundësi për gjithë vitin për të sëmurët që drejtohen në to”, tha Ikonomi. “Tjetra që është shumë e rëndësishme është që praktikat tona të negocimit të çmimit të barnave, të vendosjes së çmimit të barnave, të jetë e ngjashme me vendet e rajonit dhe gjithashtu të shikohen me vendet evropiane, ku operojnë mënyrat e kontrollit dhe të cilësisë së barnave”, shtoi Ikonomi. Ndërkohë, ulja e çmimit të barnave funksionon për vitin 2014 (është negociuar për këtë vit). “Ky çmim ka hyrë në fuqi në datën 1 janar për barnat jashtë rimbursimit dhe në 1 prill për barnat e rimbursueshme”, sqaroi Ardiana Çapi, drejtoreshë e drejtorisë farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Sa i takon marzhit të tregtimit tek pakica, ulja prej 13.8 % prek vetëm 1/3 e aktivitetit të tyre. Ndërkohë, ulen gjithashtu edhe çmimet e barnave që blihen nga institucionet shëndetëore publike në një masë deri në 3 %. Nga kjo ulje krijohet mundësia që me fondet, të cilat do të kursehen si pasojë e uljes së marzheve, të blihen më shumë barna, të destinuara për plotësimin e nevojave në rritje të pacientëve, sqaroi Ikonomi. Ndërkohë, si operatorë biznesi, tregtuesit e barnave përfitojnë edhe nga miratimi i paketës së re fiskale për vitin 2014. Kështu, sipas Ikonomit, shumica dërrmuese e tyre kanë përfituar nga ulja e tatimit të fitimit të thjeshtuar dhe ulja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore të detyrueshme. Sa i takon operimit të farmacive, Ikonomi sqaroi se “farmacia është një biznes i vogël dhe duke qenë i tillë deklaron më parë xhiron e saj, që është një xhiro që ka të bëjë me fitimin që është përmirësuar sa i takon paketës fiskale të këtij viti. Ggjithashtu, është lehtësuar dhe nga kontributi i sigurimeve shoqërore për personat e punësuar në farmaci”. Edhe marzhi tregtar, sipas saj, “do të influencojë vetëm për barnat që tregtojnë, jo për ato që ato kanë në kontratën me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. “Studimet e tregut për këtë janë realizuar dhe i takon minstrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë për të marrë disa vendime sesi do të operohet në tregun e barnave në vendin tonë”, shtoi Ikonomi. Ndërkohë, edhe projektligji i ri i barnave, që Ministria e Shëndetësisë ka hartuar dhe prezantuar së fundi, përmirëson ndjeshëm tregun, duke reduktuar konkurrencën e pandershme dhe duke nxjerrë nga tregu ata që shkelin dhe nuk zbatojnë rregullat, theksoi Ikonomi. Sipas saj, projektligji tashmë është shpërndarë tek grupet e interesit, ndërkohë që MSH pret propozimet e tyre për përmirësime në ligj deri në datën 10 shkurt.