Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Duke bërë një paraqitje të zhvillimeve ekonomike, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë parametrat e stabilitetit makroekonomik edhe në kontekstin e vazhdimit të krizës globale. “Inflacioni vjetor u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit. Në terma mesatarë ai rezultoi 1.1% në këtë periudhë, duke rënë me 1.8 pikë përqindjeje kundrejt vlerës së shënuar në tremujorin paraardhës. Reduktimi i shpejtë i normave vjetore të inflacionit, i nisur që në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, është shkaktuar kryesisht nga frenimi i rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë në këtë periudhë si dhe qëndrueshmëria e çmimeve të mallrave të tjerë të shportës së konsumit.”, shtoi më tej Guvernatori Fullani. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare në tremujorin e katërt të vitit të kaluar përshpejtoi normën e rritjes, duke shënuar një rritje vjetore prej 3.8%, mbështetur kryesisht nga rritja e prodhimit në sektorin e shërbimeve. Megjithatë viti 2012 pritet të jetë nën ndikimin e zhvillimeve të pafavorshme në ekonominë botërore, të cilat do të kushtëzojnë edhe ekonominë vendase. Kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut më të ulët në vitin në vazhdim, e ndikuar nga ngadalësimi ekonomik në vendet partnere. Deficiti buxhetor rezultoi 11.5 miliardë lekë, ose rreth 2.5% më i ulët se në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Zhvillimet në tregtinë e jashtme në dy muajt e parë të vitit tregojnë për një tkurrje të shkëmbimeve tregtare në terma vjetorë. Eksportet në vlerë në këta dy muaj u reduktuan me 20.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të mëparshëm, duke reflektuar moderimin e kërkesës së huaj dhe zhvillimet në çmimet në tregjet botërore. Ndërkohë, edhe importet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes së tyre, duke shënuar një rritje vjetore nominale prej 1.8% gjatë kësaj periudhe.”, ka vijuar më tej Fullani duke shtuar se “Duke faktorizuar zhvillimet e deritanishme dhe pritjet për të ardhmen, projeksionet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë vitit 2012 do të luhatet në bandën 0.7%–2.8%.”