Tiranë | Debate në Kuvend për mandatin e deputetit të PS, Edison Konomi

Kuvendi-i-Shqiperise

Në fillim të seancës së sotme, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe akuzoi mazhorancën se po zvarrit hyrjen në sallën e Kuvendit të deputetit të ri të opozitës. “Ne kujtuam se me vendimin e Kuvendit u zgjidh çdo gjë dhe nuk arrij ta kuptoj pse shtyhet, kur dhe KQZ ka marrë vendimin për t’i dhënë mandatin e deputetit. Në momentin që e merr këtë mandat, deputeti ka të drejtë të vijë në sallë e të bëjë betimin. Por, ende nuk po mblidhet Këshilli i Rregullores, që e drejtoni ju, për t`i dhënë rrugë kësaj çështje”, iu drejtua Braçe kryeparlamentares, Jozefina Topalli. Në përgjigje të këtij shqetësimi kryetarja e parlamentit Topalli sqaroi se çështja ishte diskutuar më herët dhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. “Në këtë mbledhje bëra me dije se deputeti i ri, Edison Konomi, të cilit i takon karrigia e grupit të PS-së, ka përsëri dy mandate, një si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe një si deputet. Administrata e Kuvendit ka pritur që ai të dorëzojë mandatin e anëtarit të Këshillit, por ai nuk e ka bërë ende”, tha Topalli. Pasi të dorëzojë këtë mandat, tha ajo, do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe pastaj sipas procedurave do të ulet në karrigen e parlamentit. Në fjalën e tij, deputeti Braçe kërkoi gjithashtu që në kalendarin dhe programin e punës së parlamentit të përfshihen dhe dy nisma të Partisë Socialiste, që kanë kohë që janë depozituar, ndryshimi i ligjit “për kufijtë”, i propozuar nga deputeti socialist, Ilir Gjoni dhe ndryshimi i ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar.