FRESSH proteston për lirimin e hapësirave publike

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, gjimnazistët e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë kanë protestuar përpara Bashkisë së Tiranës për të kërkuar hapësira të reja në shërbim të komunitetit.

Duke rikujtuar premtimet e Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha për hapësira të gjelbra dhe argëtuese, të rinjtë e FRESSH thanë se këto hapësira jo vetëm nuk janë shtuar, por janë minimizuar. “Ku janë premtimet, 10 kinematë,11 bibliotekat dhe terrenet sportive që duhet të ishin gati brenda vitit të parë të mandatit? Kërkojmë përgjigje nga ju zoti kryetar? Ku është premtimi se Tirana do të kishte mundësinë te priste 100.000 studentë? Ku është premtimi se do të bëhet ulja e numrit të nxënësve në klasa në 30, si dhe zhvillimi i mësimit me vetëm një turn në shkollat e kryeqytetit? Sot, mësimi jo vetëm që vazhdon të zhvillohet me dy turne e numri i nxënësve në klasa ka mbetur i pandryshuar, por edhe ato pak shkolla ku mësimi vazhdon të zhvillohet me një turn, së shpejti pritet të ndryshojnë.”, thuhet në deklaratën e FRESSH. Në përfundim gjimnazistët e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë thanë se 160 mijë qytetarë e subjekte nuk kanë marrë asnjë përgjigje për ankesat apo kërkesat e tyre.

Advertisement