Deputetët e Partisë Demokratike depozituan në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli, për shkelje flagrante të nenit 70-të Kushtetutës. Në kërkesën e tyre për Kuvendin, deputetët e mazhorancës kërkojnë që çështja t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, deputeti Ylli rezulton të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti dhe siç e përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. “Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009”, thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë. Sipas tyre, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja.